Pal Troshaj, 63-vjeçari i cili i dha fund jetës me fotoksinë para ambienteve të SPAK, kishte denoncuar në 2020 në Inside Story historinë e tij dhe si ishte mashtruar përmes mikrokredive.


63-vjeçari nga Lezha, i njohur si historian, tregonte se kishte marrë 5 milionë lekë të vjetra kredi te një shoqëri që quhej në atë kohë “Oportuny”, që më pas u kthye në NOA.

Edhe pse ishte i rregullt me pagesat, ai tregon se pasi NOA e bleu këtë kompani, i telefonuan dhe i thanë se i ka borxh 4.8 milionë lekë, së bashku me komisionet që ata pretendonin. Troshaj thotë se kurrë nuk iu dha një dokument prej tyre, por tentonin që ta zhvasnin përmes mashtrimit, ndërsa arritën deri aty sa i bllokuan shtëpinë.

Në atë kohë ai thoshte se nuk arritën që t’ia merrnin shtëpinë, por vetëm ia bllokuan. Inside Story sillte dëshminë e tij dhe të qytetarëve të tjerë, e po ashtu përmes ekspertëve zbërthen skemën e mashtrimeve përmes kredive në këto kompani, të cilat kanë arritur që të mashtrojnë shumë qytetarë.


Më poshtë është intervista e të ndjerit, i cili ndërroi jetë në spital mëngjesin e sotëm pas konsumimit të fotoksinës në dyert e SPAK, teksa kërkonte zgjidhje për problemin ku e kishin përfshirë këto kompani dhe tashmë përmbarimi i kishte marrë shtëpinë.//TopChannel