Një 47-vjeçar në Mirditë ka mbetur i plagosur pasi në makinë e tij i kishin vendosur lëndë shpërthyese. Sapo ka ndezur makinën, lënda ka shpërthyer në pjesën e pasme të mjetit, duke e lënë të plagosur drejtuesin Lodovik Syziu, 47 vjeç. Syziu është vëllai i kreut të bandës së Mirditës, Dritan Syziu.


Makina ka qenë e parkuar në oborrin e banesës, ndërsa 47-vjeçari është dërguar për të marrë ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Autorët dhe motivet e ngjarjes ende nuk dihen, por policia po heton në dy pista, të shkuarën kriminale të vëllait, por edhe ndonjë konflikt të 47-vjeçarit me banorë të zonës.
47-vjeçari, megjithëse nuk ka asnjë precedent të mëparshëm kriminal, njihet si person problematik në fshatin Malaj të Mirditës. Në dëshminë e parë të dhënë pasi ka marrë ndihmën mjekësore, Syziu ka deklaruar se nuk ka asnjë dijeni për autoret apo shkaqet, por ndërkohë janë thirrur për t’u marrë në pyetje edhe familjarë të tij me qëllimin për të mësuar për ndonjë incident që mund të ketë patur i plagosuri.

Kush është Dritan Syziu?
Ndërkohë, sa i takon vëllai të tij, Dritan Syziu, ai njihej ndryshe edhe si kreu i bandës së Mirditës. I dyshuar si autor i disa ngjarjeve në Mirditë në vitin 1997, ndërsa prej tij prej gati rreth 20 vitesh nuk ka asnjë gjurmë.
Ai njihet nga të gjithë si kreu i Bandës së Mirditës. Syziu është dënuar me burgim të përjetshëm pasi për një ngjarje që ka ndodhur më 28 qershor të vitit 2000, ku mbeti i vrarë punonjësi i policisë, Gjon Paçuku. Këtë vrasje ai e ka kryer në bashkëpunim me 5 persona të tjerë.
Vrasja
Ishin orët e para të mëngjesit të 28 qershorit të vitit 2000 kur 6 të pandehurit e bandës së Mirditës, Dritan Syziu, Nikollë Syziu, Bardhok Syziu, Tonin Gjoka e Arjan Reçi vendosën që të grabisnin disa pjesë këmbimi për makina të një parkingu pranë ish-SMT-së së qytetit. Autorët pikasen nga roja dhe ky i fundit njofton Policinë. Menjëherë në vendngjarje erdhën efektivat e policisë, të cilët mendonin se kishin të bënin me një vjedhje modeste. Pasi kanë parkuar makinën jashtë ish-SMT-së, u kanë kërkuar anëtarëve të bandës që të dorëzohen.
Por autorët kanë qëlluar me armë në drejtim të Policëve dhe aty mbeti i vrarë efektivi Gjon Pacuku dhe u plagosën Nikollë Marku, Bardhosh Jaku e Ndue Çupi.