Pasi socialistët thyen për herë të parë në 30 vite bastionin e të djathtëve, tashmë kanë gati planin për transformimin e Thethit. Teksa ndau 200 certifikata pronësie për banorët dhe njoftoi faljen e gjobave për ndërtimet pa leje, kryeministri Rama tha se qeveria dhe Bashkia e Shkodrës kanë gati projektin dhe fondin për të investuar në Theth. Paketa e maleve është drejt përfundimit, ndërsa gjatë takimit me banorët Rama zbuloi disa prej lehtësive që pritet të sjellë për këtë zonë turistike.


Ndërsa do të vijohet ende me shpërndarjen e tapive, kryeministri lajmëroi se do të ketë lehtësira për të gjithë ata që do duan të investojnë në Theth, të cilëve do t’u mundësohet që të marrin leje ndërtimi ndërsa presin për certifikatën e pronësisë. Kjo mënyrë shihet nga qeveria si një mbështetje edhe për të gjithë emigrantët që do duan të kthehen për të investuar në atdhe, ndërsa premtoi edhe garanci nga qeveria në rast se do të aplikojnë për kredi.
“Po ndërtojmë program të veçantë për malet që të mund t’u jepet toka, që tu jepet mundësia të ndërtojnë me leje para se të marrin titullin përfundimtar të pronësisë, në marrëdhënie me shtetin, me atë qiranë e famshme 1 euro për të marrë tokën për të ndërtuar dhe ndërkohë vazhdon proceset”, tha Rama.

Ndërsa presin një rritje investimesh, për kreun e qeverisë e rëndësishme është që ndërtimet të jenë të unifikuara dhe të harmonizuara, me qëllim që të ruhen karakteristikat e zonës.
“Karakteristikat duhen ruajtur me fanatizëm, çdo gjë moderne që bëhet duhet t’i respektojë këto elementë. Kërkesa do vijë duke u rritur, do rriten çmimet detyrimisht. Do përfitoni ju, përfitim do rritet duke ruajtur me fanatizëm këtë që keni dhe duke i bërë gjërat e reja të atilla që të jenë cilësore dhe harmonike me atë që kemi”, u shpreh Rama.
Me paketën e maleve, kreu i qeverisë u shpreh se parashikojnë një sistem më të lehtë taksimi, e ndërsa bëri me dije se do të heqin çdo taksë ndërtimi.
“Do bëjmë sistem më të lehtë taksimi. Do paguani TVSH 20% së restorante, hotel, nëse certifikoheni si agroturizëm duke patur titullin e pronës ju do paguani një TVSH 6%, tatim fitimin e keni 0 si biznes si vogël. Duam t’iu heqim çdo taksë për lejet e ndërtimi, për çdo gjë, do ju heqim çdo lloj burokracie”, vijoi Rama.
Për këtë zonë të veriut, parashikohet edhe ndërtimi i një linje energjetike nga Dedaj, Kopliku, Razma deri në Bogë, që pritet të zgjidhë problematikën e furnizimit me energjinë elektrike. Ndërkohë, parashikohet edhe mbështetje për të gjithë ata që do duan që të vendosin panele diellore, por duke ruajtur arkitekturën e zonës.
“Keni probleme me energjinë elektrike, kemi projektin dhe kemi marrë financimin për linjat nga Dedaj, Kopliku, Razma deri në Bogë e më lart. Duhet të gjejmë edhe rrugën e energjisë së rinovueshme. Këtu me këtë diell që është në pjesën e madhe të kohë s’mund të prodhosh energji, të ruhemi nga dëmtimi i arkitekturës. Shteti do iu japë mundësi me paketën e maleve që të keni mbështetje dhe lehtësira me panelet që do bëni”, tha Rama.
Ndërhyrje do të ketë edhe në infrastrukturë, me rregullimin e urës së parë teksa futesh në Theth, rregullimi i rrugëve në zonë me gurë kalldrëmi. Po ashtu, është parashikuar një stacion për mjetet e transportit publik dhe një parkim që do të garantojë më pak trafik dhe sa më pak qarkullim makinash në zonë. Do të restaurohet qendra e vizitorëve, ndërsa do të shtohet edhe një park lojërash në shkollën e Thethit.
Pritet edhe ngritja e një ‘Ode të Hapur’ që do të shërbejë për panaire me produkte artizanale, treg javor. Lumi do i nënshtrohet pastrimit të inerteve dhe pyllëzimit, ndërsa kryebashkiaku Benet Beci tha se kanë gati projektin për kanalizimet dhe impiantin për përpunimin e ujërave të zeza.
Rruga e Dukagjinit, sipas kryeministrit Edi Rama do të përfundojë brenda vitit, ndërsa parashikohet bërja e rrugës së Komanit.