Treni i “Swing Marathon” mbërriti sërish në stacionin e Shkodrës pas dy viteve mungesë. Udhëtarë ishin adhuruesit e muzikës Jazz që sillnin vitet ’40 – ’50 me veshjet e tyre. “Andrra n’tren” i dedikohet ditës ndërkombëtare të kësaj muzike që në në Shkodër i ka fillesat në vitet ’20.
Fotot tradicionale mbi lokomotivë, Banda Frymore e qytetit, Grupimi i Vespave dhe biçikletave dhe parada ishin disa nga detajet e festës, së cilës iu bashkua edhe Kryetari i Bashkisë, Benet Beci.
Atmosfera vijoi më tej në rrugët e qytetit me performancat e deejay-ve ndërsa si pjesë e dekorit qëndronin makinat dhe objektet retro. Në po të njëjtën kohë u zhvillua edhe spektakli me muzikë jazz në teatrin “Migjeni” duke argëtuar të pranishmit deri në orët e vona të mbrëmjes.