Qeveria ka kaluar një akt normativ me qëllim që t‘i jepet zgjidhje të gjitha detyrimeve të prapambetura ndaj efektivëve të policisë. Lajmin e bëri me dije ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili zhvilloi një takim me strukturat e Komisariatit të Policisë në Kavajë, nga ku sqaroi se në ditët në vijim për çdo orë jashtë orarit të punës do të kryhet pagesa.
“Detyra e Ministrit të Brendshëm lidhet drejtpërdrejt me trajtimin e duhur financiar të punonjësve të policisë. Kemi kaluar në qeveri një akt normativ ku i japim zgjidhje të gjitha pagesave apo detyrimeve të prapambetura me orët jashtë orarit, i cili hyn në fuqi menjëherë. Në ditët në vijim, për çdo orë jashtë orarit të punës do të kryhet pagesa dhe do ta ndjek personalisht.
Unë e di që paga aktuale e punonjësve të policisë është shumë e ulët krahasuar me nevojat që ka çdo familje e një punonjësi policie. Me buxhetin e shtetit 2024, do të kemi një rritje, e cila ndoshta nuk është aq sa duhet, por është një hap i madh krahasuar me stadin aktual”, nënvizoi ai.
Balla i shoqëruar nga Drejtori i DVP, Durrës Skënder Hita theksoi sërish nevojën për thellimin e procesit të vetë-pastrimit të radhëve të policisë dhe rritjen e besimit të publikut. Ministri nënvizoi angazhimin për të përmirësuar kushtet financiare, qoftë sa i përket pagës së përgjithshme nëpërmjet ndryshimeve në buxhetin e ardhshëm, ashtu edhe për pagesat e orëve shtesë që u miratuan në mbledhjen e fundit të qeverisë.