Automjeti i ish-kandidates së PD-së për Këshillin Bashkiak Shkodër, Alida Haxhia, është thyer gjatë natës në Shëngjin të Lezhës. Mësohet se makina e saj ishte e parkuar poshtë pallatit, në të cilin banon Haxhia. Persona ende të paidentifikuar i kanë thyer xhamat e pasmë, siç shihet nga pamjet që Report Tv sjell, ndërsa më pas janë larguar.

Në një prononcim për mediat, Haxhia tha se nuk ka konflikt me askënd dhe nuk e di kush e ka bërë. Ajo u shpreh se policia e Lezhës ka ardhur pas dy orësh në vendin e ngjarjes.

“Kam një biznes privat në qytetin e Shkodrës, gjithashtu operoj edhe në pjesën e politikës shkodrane. Mbrëmë rreth orës 10 të darkës, kam parkuar makinën time me targa të huaja deh sot në mëngjes pashë makinën time të masakruar nuk e di nga kush persona. Një dyshim timin personal e kam. Nuk e di ca ka ndodhur, problemi ka qenë gjatë periudhës së natës dhe asnjë person s’më ka lajmëruar se ca ka ndodhur. Policia pas dy orëve ka ardhur në vendngjarje. S’kam asnjë konflikt. Kërkoj që Policia e shtetit të marrë masa. Problemi imi vetëm është që gatishmëria e Policisë së Lezhës ishte katasrofike, zero përballë kërkesës së qytetarit”, tha Haxhia.

Denoncimi në polici është bërë nga pronarja e mjetit, e cila ka njoftuar policinë direkt pasi ka parë mjetin e dëmtuar. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Alida Haxhia ka qenë kandidate për Këshillin Bashkiak të Shkodrës nën siglën e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 14 majit. Ajo ka qenë e renditur në pozicionin 52.