“Paratë ia mora një biznesmeni 20 minuta para arrestit për problemet e mia personale”. Kjo ishte dëshmia që dha efektivi i RENEA-s Altin Morina para trupit gjykues që i caktoi masën e sigurisë ‘arrest me burg pa afat’. Ndaj tij rëndon vetëm akuza e pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale pasi u kap në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë me 113 mijë euro brenda makinës luksoze tip ‘Audi’.

Në seancën gjyqësore, Morina tregoi edhe emrin e biznesmenit të ndërtimit duke shtuar se ka dokumentacionin por nuk e dorëzon pasi e ka në dorë prokuroria për t’i vërtetuar. Efektivi i RENEA-s theksoi se është i gatshëm për bashkëpunim me drejtësinë. Përveç parave, në makinë iu gjetën edhe 4 aparate celular në makinë, të cilët u sekuestruan. Katër aparatet celular që i janë sekuestruar do të ekzaminohen dhe hapen për të parë nëse do të sigurohen prova të përfshirjes së tij në aktivitete kriminale.

Kështu do të vërtetohet nëse është i përfshirë në trafikun e drogës me grupet kriminale në Tiranë, Shkodër dhe Elbasan. Ndërkohë ka dyshime të forta se ka lidhje edhe me grupin e të shumëkërkuarit Ervis Martinajt. Para disa ditësh është parë në praninë e një të afërmi të Martinajt ku e mbronte nga ndonjë atentat i mundshëm.

Vetëm 2 orë para se të arrestohej, efektivi i RENEA-s, Altin Morina dyshohet se ishte në Elbasan, ku ka dorëzuar shuma parash tek persona te skeduar.

Ndërkohë, burime për Report Tv bënë me dije se para se të prangosej është vëzhguar nga Forcat Operacionale se ndodhej në mjet me një zyrtar të lartë të një agjencie ligjzbatuese, identiteti i të cilit nuk bëhet publik nga hetuesit për shkak të sekretit hetimor dhe nuk dihet arsyeja pse efektivi nuk është ndaluar në momentin që ishte me të.