
Erkand Qerimaj ishte sportisti më i mirë i kampionatit të të rriturve në peshëngritje, që të premten u zhvillua në Durrës. Ky kampionat ishte dhe një test në prag të Europianit të të rriturve, që më 15 prill nis në Jerevan të Armenisë. Për mikrofonin e Radio Televizionit Shqiptar, Erkand Qerimaj tregon formën e tij sportive dhe mundësinë e arritjes së normës së kualifikimit për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. “Forma ka qenë e mirë. Edhe stërvitjet e kontrollit që kemi bërë kanë treguar rrezultate pozitive. Shpresoj që edhe gjatë muajit që kemi përpara të përgatitjeve të përmirësohem edhe pak dhe kështu të futemi në zonën e medaljeve e të marrim pikë e kualifikimit”, arsyetoi Qerimaj.
Por cilat do të jenë parametrat, apo shifrat në stilin e shkëputjes dhe të shtytjes, që mund ta ngjisin Qerimajn në podiumin e medaljeve në Jerevan? “Mund të jenë gara pak të forta dhe ne po përgatitemi që të paraqitemi mirë. Shpresoj shumë që ç’do gjë të shkojë mirë”, vazhdoi Qerimaj.
Kampioni i Europës në stilin e shkëputjes më 2022 rrëfen dhe punën që po bëhet bashkarisht me trajnerin polak, Zigmund Smalcer. “Stërvitja ka qenë shumë efektive dhe jam përmirësuar shumë edhe në aspektin teknik. Stërvitja po ecën shumë mirë”, pranoi peshëngritësi.
Qerimaj ka ndjekur nga afër dhe stërvitjen e peshëngritësve të rinj, të cilët përgatiten për Kampionatin Botëror të moshës 15 dhe 17 vjeç në Durrës, që nis më 25 mars. Ja dhe mesazhi i një kampioni për brezat e rinj. “Shof të rinj me potencial shumë të madh për të arritur rrezultate shumë të mira”, përfundoi Qerimaj. GJ.V.