Vllaznia arriti një fitore të artë në “Loro Boriçi” ndaj Tiranës, në “Klasiken” e futbollit shqiptar. Kjo përballje u vendos nga goli i realizuar nga Herald Marku me penallti. Në lidhje me këtë triumf foli edhe presidenti i klubit shkodran, Alban Xhaferi, që në prononcimin e dhënë për mediat pas ndeshjes, ndër të tjera u shpreh:

“Dua të përgëzoj të gjithë qytetarët shkodranë që sot kanë shprehur një shenjë të jashtëzakonshme solidariteti. Shkodra është djepi i kulturës dhe qytetërimit, sot kanë treguar që kemi vlera të veçanta dhe dua t’i përgëzoj për pjesëmarrjen e jashtëzakonshme. Ka shumë që nuk kanë ardhur, por kanë blerë një biletë, duke kontribuar për tërmetin tragjik në Turqi dhe Siri. Dua t’i falënderoj përzemërsisht ata.

Shumë shpejt transfertat do të shkojnë te vendet e prekura, për të ndihmuar ata që kanë shpëtuar. Ky është mesazhi më madhështor i ndeshjes dhe Shkodrës që ofron vetëm qytetërim, kulturë dhe dije.

Shuma e saktë e mbledhur do të publikohet nesër, nga informacionet që kam ishin mbi 5-6 mijë tifoza. Siç e thashë ka nga ata që kanë kontribuar, por nuk kanë ardhur, gjithsesi ne do e bëjmë shumën publike bashkë me transfertën.

Kjo fitore na jep detyra të tjera më të mëdha. Vllaznia që në fillim ka hyrë me objektivat e saj për të luftuar për titullin dhe për Kupën. Ne do t’i qëndrojmë objektivave tonë deri në fund të sezonit dhe do të luftojmë për to.

Jam i kënaqur shumë me djemtë, se përveçse janë punëtorë dhe të talentuar, janë edhe djem cilësorë nga ana e sjelljes, përgatitjes, nga gjithçka. Kjo fitore iu takon atyre, ne mbrapa gëzohemi pas tyre.

Balaj po bën një punë të mrekullueshme duke ndihmuar ekipin për të arritur rezultatet. Kjo për mua është më e rëndësishme. Pjesa e golit do të vijë. Ne kemi bërë gola me mesfushorë, gjë që është shumë e bukur. Nuk ka problem se kush e shënon golin, rëndësi ka që skuadra fiton.

Kjo ndeshje nuk ishte vendimtare, kampionati është i hapur deri në fund. Do përqendrohemi te ndeshja e radhës, sot do festojmë dhe nesër do të vazhdojmë në normalitet. Kemi shumë punë të mëdha për të bërë. Premio? Është diçka kofidenciale, por ka premio”, përfundoi Xhaferi.