Një tjetër sipërmarrje agroturizmi ka hapur dyert për turistët në Malësi të Madhe. Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga bujtina “Hysaj”, ngritur me kursimet familjare dhe mbështetur nga qeveria përmes AZHBR-së dhe programit IPARD II, e cila ofron një shërbim e akomodim të përsosur për çdo vizitor.

“E strukturuar në shtëpiza të vogla prej druri me stil tradicional dhe e rrethuar nga një natyrë me gjelbërim të përhershëm, turistët kanë mundësi të ushtrojnë edhe aktivitete sportive në natyrë, ndërsa shijojnë ushqimin tradicional me produkte të freskëta”, shkruan Rama.

Kryeministri u shpreh se, shtimi i sipërmarrjeve të tilla në të gjithë vendin tregon për rritjen e aktivitetit ekonomik në zonat rurale, duke kontribuar paralelisht në rritjen e punësimit dhe të ardhurave të tyre familjare.

Mbështetja për agroturizmin dhe programi i “100 Fshatrave” kanë nxitur investitorët të ngrenë struktura akomoduese për vizitorët, të cilët, bashkë me natyrën tashmë mund të shijojnë edhe ushqimet tradicionale. Nëpërmjet programit mbështetës të zhvillimit rural synohet evidentimi i produkteve lokale tradicionale të çdo zone, drejt një ekonomie lokale të konsoliduar.