Detaje nga kamerat pa “pronarë” në Shkodër: Janë në komisariat dhe asgjë nuk kanë zbërthyer

Policia e Shkodrës vijon të çmontojë kamera të ndryshe të vendosura në lagjet e frekuentuara të qytetit. Në dy aksione të ndërmarrë nga Policia janë hequr gjithsej 59 kamera, ndërkohë deri tani nuk ka ende asnjë informacion, të paktën të bërë publik, se kush janë “pronarët” e vërtetë dhe përse këto kamera janë vendosura në zona të ndryshme të Shkodrës.

Gazetari Simon Shkreli raportoi për ABC News se kamerat janë dërguar në komisariat, por nuk janë “zbërthyer” ende nga specialistët e Policisë për të parë përmbajtjen e tyre.

“Deri tani nuk ka asnjë person që është marrë në pyetje të paktën deri në këto momente që ne flasim. Për fazën e parë ka pasur disa të shoqëruar, ndërsa nuk dihet ende se kush i kontrollon dhe se ku janë vendosur këto servera. Nga ana e Policisë thuhet se janë të vendosura nga grupet kriminale për të monitoruar lëvizjet. Nuk është gjetur asnjë gjurmë, që mund të çojë deri tek autorët. Nuk kemi asnjë pistë se kush janë këta autorë. Kamerat janë në komisariat dhe asgjë nuk kanë zbërthyer në to”, raportoi gazetari/ Abcnews.al