Vdes e moshuara/ Telefonata urgjente e së bijës e identifikon: Është nëna ime (EMRI)

Prej 6 muajve e shtruar në spitalin Neurologjik pranë QSUT, falë emisioni “Pa Gjurmë” identifikohet e moshuara Drana Alushi. Pas publikimit të fotos në program, familjarët mësuan live për fatin e nënës së tyre.

Deri pasditen e kësaj të marte kur u bë publik rasti, 71-vjeçarja nuk ishte identifikuar, as nga bluzat e bardha, por as nga policia e Fierit ku familjarët kishin bërë denoncimin për humbjen e Drana Alushit pak muaj më parë.

Atë që s’mundën dot ta bënin institucionet në 6 muaj, e bëri emisioni televiziv në 60 minuta të transmetimit live. Në spitalin Neurologjik të Tiranës, në pavionin numër të dy në katin e katërt ku ndodhej e shtruar në gjendje të rëndë, e moshuara. E intubuar, për zonjën e paidentifikuar nuk kishte asnjë informacion, ndërsa nuk dihej sesi kishte përfunduar në atë gjendje.

Mëngjesin e kësaj të marte në redaksinë e ’Pa Gjurmë’ një pacient, i cili kishte ndarë të njëjtën dhomë me zonjën dërgoi ekskluzivisht fotot, duke kërkuar ndihmë për identifikimin e saj, pasi për të nuk ishte paraqitur asnjë nga familjarët.

Sipas informacioneve të marra në rrugë jozyrtare, 71-vjeçarja ishte sjell nga disa qytetarë në urgjencën e QSUT-së, pa ndjenja, ndërsa nuk dihen rrethanat sesi kishte ndodhur.

Pas mbërritjes së këtyre fotove, emisioni kërkoi ndihmën e qytetarëve për të mësuar rreth identitetit të zonjës, e cila ishte në gjendje kome deri mëngjesin e kësaj të marte, kur fatkeqësisht ajo ndërroi jetë.Këtë lajm e bija e mësoi live përmes ekranit.

Mimoza Alushi telefoni dhe tha:

“Po, ajo në foto është nëna ime. Ka mbi 4 muaj që ishte e humbur dhe nuk kishim lënë vend pa e kërkuar. Kemi bërë denoncimin edhe në policinë e Fierit, por nuk kishim mundur të zbulonim asnjë gjurmë. Kam kontrolluar gjithashtu nëpër spitale por asgjë. Edhe në morg kam kërkuar. Jemi nga fshati Rom, i Fierit nga ku u largua nëna. Kur pashë foton në ekran u shokova. Nuk desha tu besoja veshëve se nëna ime paska ndërruar jetë pak orë më parë. Ndjehem e pikëlluar për këtë, por juve ju falenderoj shumë që bëtë të mundur gjetjen e saj”-u shpreh e përlotur e bija./ReportTV