Opinion / Pritshmerite e vitit 2023

Nga Afrim Krasniqi

Viti 2023 nuk pritet të jetë një vit i rëndësishëm për Shqipërinë. Shqipëria ka nisur rrugën e gjatë të bisedimeve për anëtarësim, po konsumon mandatin në Këshillin e Sigurimit dhe nuk është pjesë e ndonjë nisme apo projekti të madh. Brenda vendit do të kemi zgjedhje lokale, të nëntat në 32 vjet. Zgjedhjet bëhen për të ofruar zgjidhje. 14 maji nuk do të ketë mundësi të ofrojnë zgjidhje të rëndësishme, ndaj konsiderohet më shumë si një proces rutinë sesa proces historik. Efekti i vetëm që mund të sjellë 14 maji është rikthimi i opozitës në sistem, pas bojkotit masiv të procesit më 2019, si dhe impakti i rezultateve tek dy grupet rivale të opozitës. Nuk pritet të ketë dorëheqje dhe as ndryshim në hierarkinë politike, të njëjtët do gjejnë arsye e argumente për të mbijetuar deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Në sistemin tonë qeverisës kryetarët e bashkive dhe sidomos këshillat bashkiakë kanë kompetenca minore për të zgjidhur problemet e qytetarëve, por paradoksalisht, potenciali i tyre për të dëmtuar interesat qytetare vijon të jetë i madh. Pushteti vendor ka sukses kur ka mbështetjen e qeverisë qendrore, dhe në një sistem vertikal klientelizmi politik ai ka dështuar të kthehet në pushtet i qytetarëve. Tirana dhe Durrësi janë raste tipike, ku interesi i pakicës i lidhur me klientelizmin dominon interesin e shumicës qytetare. Kjo përvojë nuk ka opozitë, qasja është e njëjtë nga të gjithë krahët politikë. Shqipërisë ende i mungon një kryebashkiak reformator, që sjell ndryshim në modelin e qeverisjes, në masat antikorrupsion dhe në mbrojtjen e interesit të qytetarëve të tij. Nuk e ka pasur, nuk pritet ta ketë as pas 14 majit.

Pavarësisht pritshmërive minimale, Shqipëria do të harxhoja shuma të mëdha financiare për një fushatë pa sens dhe pa ndonjë produkt të rëndësishëm. Krahas KQZ dhe ushtrisë së komisionerëve të emëruar nga partitë dhe që paguhen me taksat tona, qeveria në fushatë, institucionet në fushatë, entet publike në fushatë, mediat në fushatë, temë ditore politike do jetë vetëm fushata. Ideja e një konsensusi për të ulur ndjeshëm shpenzimet, sidomos në zgjedhjet lokale, nuk gjeti mbështetje nga partitë e mëdha. Fushatat janë edhe oaz për të “fortët” e zonave, të cilët emërojnë kandidatë, diktojnë votuesit dhe kontrollojnë qeverisjen vendore të ardhshme, praktikë që vijon prej vitesh dhe do vijojë së paku edhe në mandatin e ardhshëm.

Aspekti më i rëndësishëm i 2023 mbetet kriza ekonomike dhe impakti i saj. Pritshmëritë e vitit 2023 janë pesimiste dhe mbi 76% e qytetarëve e konfirmuan këtë në sondazhin e Euronews. Një pakicë mendon ndryshe. Ata janë 21-22% shifër e njëjtë me votat që mazhoranca aktuale ka fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare nga totali i votuesve që do të duhej të votonin. Prej rreth dy dekadash një parti që merr 21-25% të votave nga lista totale e zgjedhësve fiton mandatet e nevojshme për të qeverisur sipas modelit klientelist, votuesit shpërblehen dhe sistemi i patronazhizmit riciklon votat në pushtet e privilegje. Kriza ka prekur shërbimet kryesore, biznesin e vogël dhe duke qenë një ekonomi e brishtë dhe e ndikuar nga lidhjet politike ajo preket dyfish edhe nga pasojat e krizës rajonale e globale. Rënia ekonomike sjell kriminalitet, emigrim, pesimizëm, skandale, arrogancë pushteti, zhvleftësim të lirisë së fjalës e mendimit ndryshe, dobësim të fuqisë për ndryshim dhe forcon oligarkinë dhe lidhjet korruptive të vendimmarrëseve politikë. Shqipëria nuk ka ndonjë strategji daljeje nga kriza dhe as mendon për të, tipar dallues nga shumica e vendeve të tjera, sidomos vendeve të eurozonës.

Lajme të mundshme pozitive? Sado të ketë kritika e pakënaqësi SPAK mbetet shpresa se drejtësia e re do të mund të sjellë disa ndryshime, sidomos për korrupsionin në nivelet e larta dhe krimin e organizuar. SPAK vjen me një drejtues të ri dhe duhet ta dëshmojë ndryshimin. Zgjerimi i “listë së zezë” dhe “listave të sanksioneve” do të ishte lajm i mirë për shqiptarët dhe 2023 pritet të ketë lajme për këtë. Së fundi, ndonëse mbetemi sovran dhe në nahijen tonë kemi institucione kushtetuese e të pavarura, roli aktiv i SHBA, BE, UK, etj, përmes ambasadorëve të tyre, pritet të jetë shumë më i madh sesa mandati i tyre diplomatik, i mirëpritur dhe garanci ndaj arrogancës, pavarësisht rotacioneve, por edhe dhe interesave afatshkurtra të tyre për stabilitet në kurriz të demokracisë funksionale. Më shumë Perëndim në Tiranë i bën mirë Tiranës dhe raportit tonë me Perëndimin.