Autoritetet ngritën të martën akuza për vrasje, ndaj bashkëshortit të një gruaje nga shteti i Masaçusetsit, e cila rezulton e zhdukur që prej 1 janarit 2023. Prokurorët kanë bërë të ditur më parë se kishin gjetur një thikë dhe gjak në bodrumin e shtëpisë së tyre.

Brian Walshe, 47 vjeç, u arrestua më 8 janar nën akuzën e dhënies së informacione qëllimisht të pasakta grupit hetimor, lidhur me zhdukjen e bashkëshortes së tij, Ana Walshe. Ngjarja ka marrë vëmendje kombëtare.

Ana Walshe, 39-vjeç, nënë e tre fëmijëve, rezulton e zhdukur që prej 1 janarit. Ajo jetonte në qytetin Kohaset, së bashku me bashkëshortin dhe fëmijët e saj.

Procesi i gjykimit të zotit Walshe do të nisë të mërkurën në gjykatën e qarkut Quincy. Një ndihmëse e avokates së tij, Tracy Miner, nuk pranoi të komentojë rreth akuzës, duke thënë se “ishte përqendruar tek mbrojtja e zotit Walshe”.

Ana Walshe, e cila punonte në zyrën e kompanisë së pasurive të paluajtshme “Tishman Speyer” në kryeqytetin amerikan, Uashington, u raportua e zhdukur më 4 janar, nga punëdhënësi dhe bashkëshorti i saj.

Në atë kohë, Brian Walshe ndodhej në arrest shtëpie, në pritje të dënimit nga një gjykatë federale e Bostonit, pasi kishte pranuar se në vitin 2021, kishte shitur piktura të falsifikuara të Andy Warhol.

Brian Walshe tha fillimisht se gruaja e tij kishte marrë një uber (shërbim taksie) për të shkuar në aeroport, në një udhëtim urgjent për në Uashington, më 1 janar.

Por gjatë një seance gjyqësore më 9 janar, ndihmësprokurorja e qarkut Norfolkut, Lynn Beland, tha se autoritetet nuk kishin gjetur prova se Ana Walshe kishte bërë një udhëtim të tillë, në atë datë. Po sipas autoriteteve një biletë avioni ekzistuese, e prerë për në datën 3 janar, për në Uashington, ka mbetur e papërdorur.

Zonja Beland tha se hetuesit zbuluan më vonë se në 2 janar, Brian Walshe kishte blerë në një dyqan solucione pastruese në vlerën e 450 dollarëve. Pasi policia siguroi një urdhër për të kontrolluar shtëpinë e tij, në bodrum u gjetën gjurmë gjaku dhe një thikë me gjak.