Rruga e Ballkanit Perëndimor u përshkua nga rreth 45 % të migrantëve të paligjshëm që u ndaluan në zonat e kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian gjatë vitit 2022, sipas raportit vjetor të Agjensisë Evropiane e Ruajtjes së Kufijve , FRONTEX.

Rreth 145. 600 kalime të parregullta kufitare u raportuan në itinerarin, ku përfshihet edhe Shqipëria, me një rritje prej 136% më shumë se viti 2021.
FRONTEX pohon se ky është numri më i lartë i klandestinëve në këtë rrugë që nga viti 2015.

Sirianët, afganët dhe më pas turqit kryesojnë mes migrantëve, por gjatë vitit që lamë pas janë kapur edhe klandestinë me kombësi që më parë kanë qënë të rrallë, si tunizianët, indianët apo shtetas nga Burundi.

Në vitin 2022, sipas FRONTEX , rreth 330 000 raste të kalimit të paligjshëm të kufijve u goditën gjatë vitit 2022 nga FRONTEX, në të gjitha rrugët që të çojnë në BE, duke shënuar numrin më të lartë të emigrantëve që nga viti 2016 dhe një rritje prej 64% nga viti i kaluar.

Sipas raportit sirianët, afganët dhe tunizianët së bashku përbënin 47% të emigrantëve të parregullt në vitin 2022.

Gratë përbënin më pak se një në dhjetë e migrantëve , ndërsa përqindja e të miturve të raportuar ra krahasur me vitin e shkuar në rreth 9 përqind, tregojnë të dhënat zyrtare.

FRONTEX, përllogarit se rreth 13 milionë refugjatë ukrainas kanë hyrë në kufijtë tokësorë të jashtëm të BE-së nga Ukraina dhe Moldavia deri në fund të vitit, të cilët nuk përfshihen në këto shifra.

Ndërkohë në kanalin Anglez, sipas FRONTEX u evidentuan gjatë vitit 2022 mbi 71 000 kalime të parregullta kufitare në dalje, duke përfshirë përpjekjet dhe kalimet e suksesshme.

Raporti pohon se mbi 50 kombësi të ndryshme të migrantëve të parregullt u regjistruan në Kanal, shumica prej tyre nga Lindja e Mesme, Shqipëria dhe Afrika.