Operacioni i Policisë së Shkodrës për çmontimin e 21 kamerave të vendosura në shtylla elektrike në ato që konsiderohen si bazat e fiseve që janë në konflikt me njëri-tjetrin prej shumë vitesh, ka çuar në shoqërimin e disa personave.

Burime nga blutë e Shkodrës bëjnë me dije se shoqërime ka pasur si nga ana e fisit Lici ashtu edhe Bajri, por asnjë prej tyre nuk kanë ndihmuar hetuesit në identifikimin e personave përgjegjës për vendosjen e këtyre kamerave. Pas marrjes në pyetje ata janë lënë të lirë, teksa po punohet për gjurmimin e serverit që ruan materialet filmike të këtyre kamerave të sigurisë. Gjurmimi i tyre pritet të jetë i vështirë për shkak të cilësisë së avancuar. Përmes internetit, ato mund të komandohen edhe jashtë shtetit dhe për këtë arsye hetuesit po punojnë për të pasur rezultate. Rëndësia e gjetjes së këtyre serverëve është e madhe, për shkak edhe të mundësisë së sigurimit të provave për disa ngjarje kriminale që kanë ndodhur në këto zona në vitet e fundit, të mbetura të pazbardhura.

21 kamerat e sigurisë që përdoreshin nga kontingjentet kriminalë për të vëzhguar lëvizjet e policisë, teksa në vijim pritet të ketë edhe operacione të tjera rreth zonës së rreth rrotullimit të Dobraçit, atij të “5 Heronjve” dhe By Pass-it të Shkodrës. Lagjet Dobraç dhe Kiras konsiderohen zona të nxehta në Shkodër, që kontrollohen nga dy fiset Lici e Bajri dhe ndërhyrja e policisë për pastrimin e kamerave të paligjshme të instaluara nga ana e tyre është fillimi i vënies në kontroll të bluve të këtyre zonave.

Përveç Shkodrës, janë edhe disa zona të tjera me të njëjtën problematikë. Burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se ka një plan masash për ndërhyrje për çmontimin e kamerave edhe në qarqe të tjera problematika, ku bandat kriminale kanë ndikimin më të madh, ndër to Durrësi dhe Elbasani. Kamera sigurie për survejimin e lëvizjeve të policisë, të cilat mendohet se janë në përdorim të kontingjenteve të krimit, dyshohet të ketë edhe në zonën e Niklës dhe Fushë Krujës. / shqiptarja.com /