Partizani e ka nisur keq vitin e ri, duke humbur në shtëpi 1-2. Ishte Vllaznia ajo që përmbysi në stadiumin e ri të të kuqve, duke marrë tri pikë me shumë vlerë në një transfertë të vështirë dhe duke u futur në shinat e pretendimeve, pasi tashmë diferenca me kreun është vetëm 4 pikë larg.

“Të kuqtë” kaluan të parët në avantazh me anë të Gueye në minutën e 62-të, megjithatë nuk arritën të ruajnë epërsinë, pasi në të 77-ën ishte Fjoart Jonuzi ai që riktheu barazpeshën në stadiumin “Partizani”.

Në të 90-ën shkodranët gjetën edhe golin e dytë me anë të sulmuesit të talentuar Mehdi Çoba, i cili erdhi nga stoli për të shënuar golin me vlerë 3-pikëshe për kuqeblutë, që ngjiten përkohësisht në kuotën 25 pikëve.