Këto kujtime, i’a dedikoj familjes sime të dashun e të shtrenjtë; Justit, Livies dhe Erinës, me të cilët përjetova shqetësimet dhe gëzimet e jetës, gjatë nji periudhe mjaft të vështirë, kur regjimi komunist nxiste hipokrizinë, manipulimin, përdorte terrorin, presionin etj. Pavarësisht, fatkeqësive që pësuem si: vrasje, burgime, shpërngulje, sekuestrime e diskriminime politike, sot në vjetin 2021, konstatoj me kënaqësi, pse jo edhe me krenari, që të rinjtë e familjeve tona, jo vetëm po përparojnë në jetën e tyre, por kudo që janë, po manifestojnë vlera morale pro familjes dhe humanizmit në shoqninë tonë.  Edukata antikomuniste, që kanë marrë në ADN-në e tyne, së bashku me tamlin e gjiut të nanës, më jep qetësi e besim se, brezi i ri i familjes sime, por edhe, i të gjithë familjeve shqiptare, kanë me i thane: “Jo komunizmit në Shqipni”, AMEN!

Kur dielli ulet në perëndim dhe muzgu i mbrëmjes afrohet, kur të lodhun mbas nji dite pune intensive kthehemi në shtëpi, dhe mbasi pushojmë e qetësohemi, fillojmë me mendue se si kaloi dita, çka u ba mirë e çka u ba keq e se si mund ta përmirësojmë punën tonë, si mund t’i shërbejmë ma mirë familjes tue mos harrue e damtue të tjerët që na rrethojnë….e mandej,  pa vramje të ndërgjegjes e me zemër të qetë, shtrihemi në shtrat, ku na merr gjumi, “pa muejt me numërue deri në dhetë”…!

Ndoshta, mundemi me thanë, se jemi në rregull me veteveten…!

Nuk asht pak, me qenë në rregull me ndërgjegjen tande…por, nuk asht gjithçka…sepse individi, i cili frymon në nji mjedis shumëpërfolura vlerash dhe antivlerash, në lëvizje të përjetshme dhe në përplasje për “jetë a vdekje”, ndërmjet tyre, që kushtëzojnë, dhe shpesh ndryshojnë edhe rrugën e shoqërisë prej drejtimit të “yllit polar”, duhet të marrin mbi shpatulla detyrën misionare, të korrigjimit të drejtimit dhe vendosjen e përparmit të shoqnisë në rrugën e Zotit!

Qëllimi, i këtij botimi, nuk asht demonstrimi i vuajtjeve personale e as familjare, prej persekutonit politik të “luftës së klasave”, mbasi jam plotësisht i bindun se, çka tregohet në këto shkrime, përbën vetëm nji pikë uji në oqean, në krahasim me ato ç’ka pësuan shqiptarët prej diktaturës enveriste, por duhet konsiderua si, nji tentativë modeste për dëshmimin e së vërtetës historike gjatë periudhës së diktaturës komuniste në Shqipni.

Vetëm e vërteta ndihmon në gjetjen e rrugës drejt “yllit polar”, ç’ka përbën misionin moral, të atyre individëve që, krahas familjes, rrethit miqësor e ma gjanë, duen e përpiqen edhe për ruajtjen e mbrojtjen e vlerave kombëtare, si edhe për rritjen e mirëqenies së shoqnisë, ku bajnë pjesë.

Sot, në muzgun e jetës sime, kur në “shportën e karameleve”, që më “ka dhurue braziliani i madh, Mario De Andrade”, kanë mbetë jo shumë “karamele”, dëshmimi i së vertetës përbën qëllimin e vetëm të jetës dhe asht, pikërisht, ky fill i së vërtetës që ndërlidh e bashkon dromcat e kujtimeve, që po i publikoj në këtë libër.

Ndoshta dikujt ose shumë kujt, nuk i interesojnë aspak kujtimet e jetës sime, e sinqerisht i mirëkuptoj, sepse kjo asht krejtësisht normale, por atyre, me anën e këtyre pak rreshtave, gjej rastin me u ba thirrje që të jenë paksa ma “të gjanë”, në gjykim, sepse e vërteta që dëshmohet, nuk asht personale, vetëm e imja, por e të gjithëve dhe, mbi të tana asht ajo, me të cilën duhet të njihet kryesisht brezi i ri. Lexim të këndshëm!

Autori 

 Nata e zezë e 22 shkurtit, 1951

                Prologu           

Në shkurt të vitit 1951, në moshën shtatëvjeçare, frekuentojsha klasën e dytë fillore, në shkollën “Ali Demi”, Tiranë, që ishte vetëm 100 m. larg shtëpisë ku banojsha. Duket se, faktori moshë nuk më pati lejue, ose nuk më pati mundësue ndërgjegjësimin e përjetimin real t’asaj situate të padëgjueshme e të papame, që po kalonte shoqnia shqiptare, me instalimin e diktaturës komuniste.

Dhuna s’kishte mbarim: arrestime në rrethin familjar, pushkatime në rrethin miqësor, internime familjesh, shpronësime, nxjerrje me urdhën prej shtëpive, mungesa e fjalës së lirë etj., sepse kujtimet e mia, lidhen kryesisht me mjedisin e dashun familjar, me gëzimin e entuziazmin që më krijonte njohja me shokët e ri të shkollës (ndër të cilët, kujtoj Hajredin Fratarin), si edhe me lojnat sportive, sidomos futbollin me top pecash e porta të kufizueme me gurë, pa harrue “gjuetinë” me lastik…!

Ndryshe prej të mëdhenjve, jeta ime rrjedhte e qetë; më kujtohet që baba Pjerin (Pjetër), n’atë kohë në moshën 44 vjeçare, ishte jashtëzakonisht i ngarkuem në detyrën e tij, si shef finance në ministri, sepse kthehej shumë vonë prej punës, vetëm të dielave ishte pranë familjes, paraditja e së cilës kalonte me pjesëmarrjen (familjarisht), në meshën e Kishës Françeskane dhe me vizita të shkurta, në familjet e miqve. Kur lumi Lana kishte ujë pak, ndiqshim rrugën ma të shkurtë, për me shkue te Kisha, t’ue kalue mbi disa gurë të mëdha, të pozicionuem mbi shtratin e vijës ujore.

Tingujt e pianofortes në shtëpi ishin të përditshëm, muzika më krijonte nji ndjesi të veçantë. Notat muzikore i pata nxënë përpara shkrimit në shkollë sepse axha, pianisti Tonin Guraziu, pati përdorë “figura vizatimore”, si ndihmë për me kuptue notat (nji “rreth”, donte me thanë nota “re” etj.). Ndigjojshe që axha i thonte të tjerëve, se Filipi ka talent për piano, suksesi i im i parë (dhe i fundit) pati qenë nji koncert në Radio Tirana, në moshën 6 vjeçare.

Rrufeja në natën me yje 

Në thellësinë e natës së 22 Shkurtit, të ramët e forta të derës së shtëpisë, ma nxorën gjumin, hapa sytë e mbeta i çuditun…! Të tanë ishin të çuem e në lëvizje; mbas pak, baba Pjerin, iu afrue derës së jashtme e, me za të fortë, pyeti:

-Kush jeni e çka doni, në këtë orë të vonë?

Nji za u ndigjue prej jashtë:

– Hape derën, jemi Sigurimi i Shtetit, kemi ardhur për kontroll!

Baba vazhdoi:

– A asht me ju përfaqësuesi i Këshillit të Lagjes, filani…? Pa praninë e tij, nuk ju hap derën!

Nji za prej jashtë, urdhëroi njerëzit e tij: Urgjent, sillni këtu përfaqësuesin e Këshillit të Lagjes…! Ra heshtje…, baba erdhi me shpejtësi në odën e gjumit dhe lëvizi sintoninë e radios, veprimin e kuptova…(sintonia duhej të ishte te Radio Tirana…!)

Mbas pak u ndie zani i përfaqësuesit të Këshillit të Lagjes, e baba hapi derën: Tre njerëz, të veshun me tesha ushtarake, u futen brenda. Njani, duket kryetari i grupit, pyeti babën:

-Ti je Pjerin Guraziu?

Dhe pa marrë përgjigje, me za të naltë, i tha:

–‘Në emër të popullit je i arrestuar’, do vish me neve, për një sqarim në Degën e Punëve të Brendshme, bëhu gati!

Heshtje vorri në shtëpi…! Nana ndihmoi babën për përzgjedhjen e teshave. Baba veshi tabaren e tij, të trashë, të zezë, prej leshi, vuni kapelën republika (nën vrojtimin e panderpremë të rojës) e doli në korridor, ku e izoluen në nji qoshe.

Vetëm mue, si fëmijë, më lejuen t’i afrohem. Kurrë nuk mundem me e harrue atë skenë, që fatalisht, paska pasë qenë e fundit! Baba kërkoi barnat, që merrte kundër sëmundjes së ulçerës, e pyetjes së Dadës së shtëpisë, Dilës: “Çka na bane more Pjerin, more në qafë vedin e familjen”?, iu përgjegj me za të naltë, për me e ndi të tanë:

– “Mos u bani marak, rrini të qetë, jam i pafajshëm, nuk kam ba kurrgjë, çdo gjë ka me u sqarue, e shpejt kam me u kthye në shtëpi”!

Hijet e natës erdhën, morën me vete babën dhe u zhdukën në errsinë…!

Të nesërmen u muer vesh se, në Tiranë, gjatë netëve 20 deri 22 Shkurt, ishin arrestua mbi 170 vetë!

Nji ditë mbrapa erdhën lajme, se shumë prej atyre që ishin arrestue, kishin fillue me u lirue, lajme që zgjuan shpresën në familje për lirimin edhe të babës, për të cilin të gjithë kishin besim të plotë se ishte i pastër, sepse ai dinte: “vetëm punë e familje, e vetëm familje e punë”.

Kaluen ditë e baba nuk u kthye, por shpresa ishte e fortë, të tanë kishim besim…!

Ndër ato ditë ankthi e trishtimi, mue më çuen çdo ditë në shkollë, vazhdojsha me zor mësimin, por mendjen e kisha tjetërkund…!

Në datën 29 Shkurt 1951, në orën e dytë të mësimit, erdhi motra (Sisi) në klasë e më mori për në shtëpi. Gjeta shumë njerëz, përveç pjesëtarëve të familjes sime e, të Zef Guraziut (axha i babës), më kujtohen; kushrini Emil Shiroka e, shoku i babës, ing. Filip Geci.

Të gjithë, të veshun për zi! Heshtje e vajtime, vajtime e heshtje; heshtje e vajtime, vajtime e heshtje…!

Atë moment kuptova se, në vend të ardhjes së babës, kishte pasë ardhë nji pusull me shkrimin: “Pjerin Guraziu është pushkatuar si Armik i popullit dhe i Partisë”.

Rrufeja komuniste kishte mblue në zi familjen e Pjerin Guraziut, dhe kishte përplasë përtokë,  pa ndjeja, të vejën 36 vjeçare të Pjerinit, nanën Inda!

Epilogu

Mbas 40 vjetëve, në 10 Gusht të vjetit 1991, me urdhën “prej nalt”, Plenumi i Gjykatës së Naltë, rishqyrtoi procedurën ligjore të masakrës terroriste të 26 Shkurtit 1951, ku u torturuan dhe u pushkatuan baba Pjerin dhe 21 intelektualë të tjerë, e doli me vendim: Prishjen e vendimit Nr.64, datë 27.02.1951 të Gjykatës së Lartë Ushtarake Tiranë dhe pushimin e çështjes penale në ngarkim të…, tue argumentue se:

“Të 22 viktimat e 26 Shkurtit 1951, ishin të pafajshëm, nuk kishin lidhje me akuzën e, se ishin pushkatue pa proces gjyqësor, por vetëm me vendim terrorist të Byrosë Politike enveriste. ‘Gjygji i montuem’, i cili ishte tentue me u organizue mbas pushkatimit të 22 intelektualëve, në realitet ishte nul, mbasi në vendimin e tij, nuk figurojshin firmat e trupit gjykues”.

Në vjetin 1993, falë përkushtimit të Z. Hysen Shehu, u zbulue “gropa e kuqe”, ku patën qenë hedhë të gjallë, e mandej pushkatue të 22 viktimat e 26 Shkurtit (kjo e vërtetueme prej faktit se, eshtnat e gjetun në “gropën e kuqe të gjakut”, ishin të lidhun me tela dhe, se në pjesën e sipërme të kafkave të viktimave dalloheshin birat e plumbave). N’at gropë, përveç eshtrave, dallova e mora në dorë edhe copat e tabares  së zezë të babës Pjerin, emocioni thirri kujtesën e kujtesa më solli përpara korridorin e shtëpisë, tabaren e zezë prej leshi e babën në kambë, i qetë, i cili prej larg, më lente nji porosi: Kurrë komunizëm!

Me vendim unanim të familjarëve te viktimave, të 22 intelektualët e martirizuam, u varrosën së bashku në nji vorr monumental në Tiranë.

Pjerin Guraziu, së bashku me 21 “Martirët e Pafajësisë”, me  vendim të Presidentit të Republikës së Shqipnisë, Z. Bamir Topi në vitin  2011, u shpall “Nderi i Kombit”.