Tre persona janë proceduar penalisht ditën e sotme në Pogradec. Mësohet se një i mitur 14-vjeçar është proceduar penalisht për vjedhje. Po ashtu është proceduar penalisht një 21-vjeçar, i cili në makinë kishte një uniformë policie. I proceduari penalisht i tretë është një 24-vjeçar, i cili u kap duke punuar në një ndërtesë pa leje.

Njoftimi i Policisë:

Pogradec/Procedohen në gjendje të lirë 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi në gjendje të lirë për një shtetas 14 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec, për veprën penale “Vjedhja”, pasi nga veprimet hetimore dyshohet se më datë 02.01.2023, ka vjedhur një shumë lekësh, në një objekt kulti (xhami), në fshatin Vërdovë.

Po nga këta specialistë u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin H. F., 21 vjeç, banues në fshatin Plug, Lushnjë, për veprën penale “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, pasi në lagjen nr. 2, Pogradec, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Volkswagen”, që drejtonte ky shtetas, gjetën një fenelinë si ajo e Policisë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. A., 24 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, pasi u konstatua duke kryer punime ndërtimi pa leje, në fshatin Vërdovë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.