Uji i cili konsumuan tre personat në një lokal në Shkodër, ishte brenda normave të konsumit. Kjo është ajo që ka dalë nga analizat e kryera.

Në to specifikohet se mostrat e marra për analizim, janë nga uji në çezmë i restorantit, dhe nga dy shishe të së njëjtës kompani që kanë konsumuar nëna, djali dhe kamarieri.

Analizat laboratorike në këto mostra kanë dalë brenda normave, ndërsa shishja e ujit që u përdor nga të helmuarit, ndodhet e sekuestruar nga organi hetimor dhe pritet t’i nënshtrohet edhe ajo analizave, përgjigjja e të cilave do të hidhte dritë mbi ngjarjen.

Çfarë ndodhi?

Një 41-vjeçare dhe djali i saj janë transportuar drejt Tiranës ku do të marrin një trajtim më të specializuar për shqetësimet e krijuara pas helmimit nga uji i pijshëm. Dyshohet se në shishen e ujit që kanë konsumuar nënë e bir, ka pasur lëndë djegëse, por ende nuk dihet se çfarë lloji. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23.20 të mbrëmjes së djeshme, ndërsa sipas mjekëve të spitalit të Shkodrës, në stomakun e tyre janë zbuluar djegie të cilat janë shkaktuar si pasojë e konsumit të ujit të kontaminuar. Të njëjtin shqetësim si nënë e bir ka pasur edhe kamarieri i lokalit, 30-vjeçari i identifikuar si M.M., por duket se gjendja e tij shëndetësore është më e mirë se e dy të tjerëve.