Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi shkruan se dreka që bëri bashkë demokratët ditën e sotme, pjesë e të cilës ishte dhe ai, është keqpërdorur politikisht.

Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se dreka me ftesë të deputetit Xhelal Mziu, nuk nuk përbën asnjë fillim të vjetër apo të ri dhe nuk kishte asnjë mesazh politik. Në fund, ai bën urimin për festat e fundvitit.

“Keqpërdorimi për qëllime politike i një dreke miqësore të organizuar nga kolegu Xhelal Mziu me rastin e festave të fundviti është akt dëshpërimi.

Në vaki, festa, apo dasma, të ftuarit nuk zgjedhin dot njëri tjetrin. Ky nuk përbën asnjë fillim të vjetër apo të ri dhe dreka e sotme nuk kishte asnjë mesazh politik! Faleminderit kolegut Mziu për ftesën dhe Gëzuar Festat!”-shkruan Bardhi.

Deputetët e Partisë Demokratike janë bërë bashkë në një drekë fundviti ditën e sotme. Ideja e kësaj dreke ka qenë e deputetit demokrat Xhelal Mziu, i cili ka mbledhur të gjithë kolegët e tij dhe kryedemokratin Sali Berisha. Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj nuk iu përgjigjën ftesës së Mziut.