Pas disa seancave maratonë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i ka dhënë fund procesit të dëgjimit të gjyqtarit të Shkodrës, Andri Ymeri.

Seanca e zhvilluar pasditen e sotme ishte planifikuar për dëgjimin e konluzjoneve përfundimtare të gjyqtarit Ymeri.

Por që në fillim të nisjes së procesit, avokati mbrojtës i Ymerit,i paraqiti komisionit dy kërkesa për përjashtimin e treshes gjykuese, Pamela Qirko, Genta Bungo dhe Firdes Shuli, pasi ishin në konflik të pastër interesi dhe në shkelje të rëndë të procedurës ligjore.

Nga ana tjetër avokati paraqiti një fotografi, ku shfaqej anëtarja Genta Bungo, me disa prej subjekteve që ka gjykuar në “Vetting” dhe që i ka pasur në klasë, për të cilët ka vendosur konfirmimin në detyrë.

Avokati e solli këtë provë, duke hequr një paralelizëm mes rastit që KPK pretendon se Ymeri, ka zhvilluar gjyqe me avokatin, të cilin e ka pasur shok shkolle dhe rastin ku Genta Bungo ka gjykuar shokët e klasës në “Vetting” dhe i ka kaluar.

Sipas tij ky ishte një favorizim i pastër që kishte kryer anëtarja Bungo, ndaj dhe avokati Llangozi ka kërkuar përjashtimin e trupës gjykues.

Por kërkesat e tij, nuk u konsideruan si të vlefshme nga ana e relatores Pamela Qirko, pasi sipas saj procesi i administrimit të provave dhe depozitimit të kërkesave, është mbyllur dhe s’mund të bëheshin kërkesa të tjera për përjashtimin e gjykimit.

Aq më tepër kujtoi Pamela Qirko, se 9 trupa të veçanta gjykimi kishin rrëzuar në seri kërkesat për përjashtimin e anëtarëve dhe tëg gjithë trupës gjyqësore që ka në shqyrtim gjyqtarin e Shkodrës, Andri Ymeri.

Pas mbylljes së kësaj polemike, gjyqtari Ymeri mori fjalën e tij për të dhënë konkluzionet, duke i vënë në dukje se gjatë procesit të dëgjimit ai kishte kthyer barrën e provës dhe se nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikohet, po i kërkohet llogari për një pasuri më të vogël se ç’kanë pasur subjektet e tjera kaluese si Arbër Çela, Dritan Hallunaj, Robert Kote, Elsa Karreçi dhe Alma Bramo.

Në fjalën e tij, Ymeri kërkoi konfirmimin në detyrë megjithëse paralajmëroi trupën gjykuese se tashmë e dinte vendimin e Kolegjit, ndaj dhe seancën e shpalljes së verdiktit nuk do paraqitej në gjykim.

Ymeri falenderoi trupën gjyqësore për durimin e mjaftueshëm gjatë 5 seancave maratonë, duke i uruar t’i kalonin sa më mirë festat e Krishlindjes dhe Vtitin e Ri.

Pas fjalës së Ymerit, relatorja Pamela Qirko, caktoi seancën e radhës në datën 21 Dhjetor ora 09:40, me qëllim dhënien e vendimit përfundimtar për konfirmim ose jo të subjektit të rivlerësimit.