Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Genc Tafilit, i cili kërkonte lirinë.

Anëtari i Gjykatës së Lartë Ilir Panda ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila në maj të 2021-it vendosi rikthimin e tij në burg, për të vuajtur vitet e mbetura për vrasjen e kryekomisar Arben Zylyftarit.

Tafili u dënua me 25 vite burg, për vrasjen e Arben Zylyftarit, ish-kryepolicit të Shkodrës, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2000. Edhe pse kishte për të bërë 25 vite burg, ai u lirua në 2017 nga Gjykata e Krujës, pasi kreu 17 vite burg nga gjykatësja e asaj kohe Enkelejda Hoxha, e cila vendosi lirim me kusht.

Vendimi i Hoxhës u ankimua dhe Gjykata e Apelit në maj të vitit 2021 dhe kërkoi që Genc Tafili të arrestohet dhe të dërgohet në qeli për të vuajtur vitet e mbetura të burgut. Ai u shpall nga autoritetet në kërkim ndërkombëtar dhe u arrestua 5 vite më vonë në Gjermani.