Një ekspozitë e cila do të “udhëtojë” në vende të ndryshme, por viti parë mikpritës është vendosur të jetë Shqipëria.

Ky rrugëtim ka për qëllim të promovojë punën fantastike dhe të veçantë të të gjithë fotografëve nga Ballkani dhe njëkohësisht botës shtazore dhe bimore të vendit të tyre. Në një farë mënyre e gjithë kjo punë përkthehet në një pashaportë të mirë prezantimi si dhe ndërveprimi kulturash ballkanike.

Qëllimi i ‘Wild Expo’ nuk është vetëm të promovojë habitatet dhe kafshët e egra nga vende të ndryshme, por gjithashtu të lidh dhe të ndërtojë një angazhim më të fortë të komunitetit të fotografëve të kafshëve të egra nga e gjithë bota, të cilët janë të ftuar të marrin pjesë në mënyrë të tillë që shumëllojshmëria e botës së egër të tregohet sa më shumë për të gjithë të interesuarit të cilët do e vizitojnë. “ – shprehet fotografi Troshani.

Nuk është rastësi që organizatori dhe ideatori i kësaj ekspozite është pikërisht fotografi Jetmir Troshani me origjinë nga Shkodra, një vend i njohur për vlerat unikale në fushën e artit. I rritur me këtë frymë artdashëse, ai vazhdoi arsimin e mesëm në Shkollën e Muzikës “Prenkë Jakova”, në degën e kitarës. Në vitin 1997, Jetmiri emigron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas disa përpjekjesh e punësh momentale, filloi studimet në degën e teknologjive të reja dhe pas përfundimit të saj, disa vjet më vonë, kreu edhe magjistraturën për menaxhim. Sot, ai punon si Menaxher Projektesh (PM) në fushën e teknologjisë, në po të njëjtin universitet ku filloi edhe studimet e para në Nju Jork. Gjithashtu, jep leksione universitare në tri lëndë të ndryshme në po të njëjtin fakultet.

Ndjeshmëria për faunën i lindi që në vogli. I rritur te gjyshja, në një shtëpi me oborr e me shumë shpendë rreth e rrotull, ai mori esencën e dashurisë për botën e shpendëve e këto ndjesi i mbetën të pashlyeshme në kujtesë. Kjo periudhë e fëmijërisë, ndezi shkëndinë e parë drejt hobit të tij, fotografinë e jetës së egër. Arkiva e tij fotografike rritet përditë e llojet e shpendëve dhe gjitarëve të fotografuar mjeshtërisht janë të shumtë.

Mos harroni këtë ekspozitë kaq të veçantë mund ta vizitoni ditën e shtunë, datë 17 dhjetor  në teatrin “Migjeni”, në qytetin e Shkodrës, ora 18:00.

Ndërkohë që vendi tjetër mikpritës do të jetë Greqia. / living/