Një grua u dhunua nga i shoqi mbasi e gjeti atë duke folur në telefon dhe kur kërkoi që t’i shikojë mesazhet, i riu reagoi dhunshëm duke e qëlluar me grushta në brinjë. Nëna e dy fëmijëve sipas dosjes që ju vendos në dispozicion Gazetasi.al tha në polici se grindja mes të dyve kulmoi në momentin që ajo kuptoi se partneri po krijonte një varësi të çuditshme nga telefoni. Sipas akteve të dosjes pranë policisë, i dyshuari me inicialet D.M ka qenë i qetë deri mbas çdo komenti që gruaja bënte kur e shikonte me telefon në dorë.

“I kërkova telefonin bashkëshortit për t’u sqaruar unë se çfarë po ndodhte se po i vinin mesazhe nga një numër telefoni dhe ai nuk po reagonte ndaj fjalëve të mia. Ishte i fokusuar tek telefoni. Ai në këtë çast u revoltua dhe filloi të bërtasë e të kundërshtojë dhe reagimi i parë qe një goditje me grusht në kokë dhe grushtat e tjerë në brinjë”.

Denoncuesja kujton për policinë se “paqtuesja” dhe dëshmitarja okulare ishte vjehrra që ndërhyri dhe i ndau.

“Vjehrra më tha të dilja përjashta sa të qetësohej. Telefoni iu thye. Nuk pranova të dal, doja të shikoja telefonin se me kë po fliste dhe vjehrra më tha më mirë të mbyllesha në dhomën tjetër sa të qetësohej gjendja. Vjehrra më duket se e kuptoi që doja të veja në polici dhe nuk m’u nda. Qëndruam bashkë në një dhomë të mbyllura. Kur dolëm D. M kishte ikur. Por u kthye në mesnatë dhe më kërkoi të merrja fëmijët, plaçket, rrobat e trupit dhe të kthehesha tek prindërit,”- rrëfente gruaja.

E bindur se partneri po e tradhëtonte nën sytë e saj, gruaja përmend më tej që varësia nga telefoni i të shoqit nuk lidhej me lojrat në telefon.

“Kemi patur herë pas here debate dhe nuk jemi marrë vesh kurrë, pasi ai revoltohet dhe ushtron dhunë. Por nuk kam bërë kallzim sepse kam menduar për fëmijët dhe për të mbajtur familjen. Shkaku pse zihemi është se unë jam kërkuese, burri më akuzon se jam xheloze por nuk është e vërtetë. Burri thotë që vetëm ai ka të drejtë dhe fjala e tij duhet të dëgjohet. Me veprimin e fundit që bëri jam e bindur që ai më tradhëton dhe që reagimi ishte i tillë që të trembesha dhe mos ta çoja deri në fund kërkesën time. Ishte gati të thyente telefonin vetëm që mos të zbuloja se me kë po fliste,”- shton denoncuesja.

Kësaj shtetase sipas OPGJ i është kërkuar të kryejë ekspertim mjeko ligjor për të plotësuar dosjen me frakturat e shkaktuara në brinjë dhe në kokë. Por teksa policia ka qenë duke pritur përgjigjjet nga IML ( Instituti i mjekësisë ligjore) , një shkresë e dërguar nga ky institucion pranë policisë ka konfirmuar se e reja nuk ishte paraqitur pranë tyre për t’u pajisur me ekspertizën e kërkuar. Megjithë këtë policia ka pyetur edhe vjehrrën që sic pritej ka dalë në krah dhe në mbrojtje të të birit.

“T. bëhet shumë xheloze, kishin shumë debate për telefonin dhe në praninë time djali nuk e ka goditur ndonjëherë nusen. I dëgjova që debatonin, por ishin në dhomën e tyre dhe besoj që këto zenka janë gjëra të rinjsh, besoj që e kanë gjetur mirëkuptimin dhe jetojnë të qetë,”- përmend e moshuara.

Policia shkruan në fashikull se pas kërkesës për urdhër mbrojtjeje dhe kallzimit në fjalë, por edhe refuzimit për të kryer një akt ekspertizë, nëna e dy fëmijëve është paraqitur sërish në polici.

“Isha e tronditur në mëngjes dhe ngaqë isha e alarmuar dhe e xhelozuar kërkova urdhër mbrojtjeje. Thëniet në deklarimin e mëparshëm nuk janë të sakta dhe kërkoj të kryej një deklarim të dytë të ndryshëm nga ai që kam bërë në mëngjes, pasi ne shkojmë mirë megjithëse u zumë për telefonin. Kam ardhur në komisariat me vullnetin tim dhe pa u ndikuar nga askush,”- shprehet T.

Por policia vëren se pikërisht mbas qëndrimit të dytë të nënës së dy fëmijëve, është paraqitur në komisariat me vullnetin e tij bashkëshorti i akuzuar. Kjo e ka bindur policinë se kallzimi i parë i gruas ishte i vërtetë dhe ndaj ai duhej proceduar për dhunë në familje.

“Dua të them se më vjen keq që gruaja ime ishte në komisariat, ne duhemi dhe zihemi si çdo çift. Kemi mosmarrëveshjet tona, por janë për të mirën e familjes. Dua të them se nuk e kam goditur asnjëherë gruan dhe se në rast se grindjet dhe mosëmarrëveshjet do vazhdojnë, jam i qartë se ka gjykatë civile për t’u divorcuar,”-deklaron i dyshuari. Megjithëse e administroi qëndrimin e tij, policia thotë më tej se dyshimet janë të plotë. Ai e ka rrahur gruan dhe kallzimi i saj i parë është i vërtetë, ndonëse ajo hoqi dorë prej tij.

“Shtetasi D.M ka ushtruar dhunë duke e goditur me grushta në pjesën e kokës dhe të brinjëve, ku për një moment ajo thotë se ka mbetur pa frymë. Ajo ka sqaruar se kjo ngjarje ka ndodhur në prani të vjehrrës” – referon në fashikull oficeri i policisë./GazetaSi