Davide Pecorelli, 47-vjeçari italian që inskenoi vdekjen e tij në Pukë të Shqipërisë është liruar nga burgu, dy ditë pasi u vu në pranga nga autoritetet italiane. Ndërkohë që pritej ekstradimi i tij në Shqipëri, Gjykata e Apelit me kërkesë të Prokurorit të Përgjithshëm, ka kërkuar shpalljen e arrestimit si të pavlefshëm dhe ka liruar Pecorellin.

Një vendim i tillë është marrë vetëm 2 ditë pas arrestimit të tij me qëllim ekstradimin në Shqipëri. Tashmë ai do të presë vendimin përfundimtar në gjendje të lirë. Pecorelli akuzohet nga autoritetet shqiptare për mashtrim, deklarime të rreme, pengim të drejtësisë, dëmtim të pronës, zjarrvënie dhe kalim të paligjshëm të kufirit.

Pecorelli ishte zhdukur në janar 2021, në Pukë, ku la të djegur mjetin që kishte marrë me qira, brenda të cilës ishin eshtra njerëzish. Qëllimi ishte tu shpëtonte borxhevem por testi i ADN-së vërtetoi se eshtrat nuk i përkisnin 47-vjeçarit nga San Giustino. Më 17 shtator 2021, Pecorelli u gjet jashtë ishullit Montecristo, me varkën e dëmtuar.