Doktori i Gerti Shehut që sulmoi ditën e sotme ish kryeministrin Sali Berisha gjatë protestës së mbajtur, ka konfirmuar se 31-vjeçari ka probleme të shëndetit mendor.

Sadik Laka tha se Shehu kurohej që prej vitit 2018 dhe se dokumenti i cili vërteton se ky shtetas ka probleme të shëndetit mendor është firmosur nga vetë ai, duke hedhur kështu poshtë akuzat e kryetarit të PD Sali Berisha, i cili tha se agresoi nuk kishte probleme dhe se sulmi i tij erdhi me porosi të kryeministrit Rama.

“E kam parasysh kush është, është dokuement autentik i firmosur nga ne.

Mesa di unë është pacient me histori më të thellë, ka qenë te unë që në 2018-tën. Unë e kam lëshuar atë dokument dhe është autentik pa diskutim”, tha doktori.

Ish-kryeministri Sali Berisha tha se personi që e qëlloi Gert Shehu, është agjent dhe bashkëpunëtor i Policisë Kriminale. Sipas asaj që ai tha, burime të sigurta i kanë thënë se 31 vjeçari raportonte për trafikantët e drogës dhe besimtarët myslimanë dhe se nuk është një person që ka probleme të shëndetit mendor.