Prej ditës së sotme do të nisë bllokimi i pjesshëm i akseve rrugore në kuadër të masave të sigurisë që do merren për samitin BE-Ballkani Perëndimor. Drejtori i Policisë Rrugore Altin Qato shpjegoi një ditë më parë në Report Tv se bllokimi do të nisë që prej mëngjesit të sotëm për punime në akset kryesore Rinasit-Kashar, autostrada Tiranë-Durrës, ish-Sheshi Shqiponja, Unaza e Madhe, Kopshti Botanik, rrethrrotullimi i Saukut, rrethrrotullimi te ‘Varrezat e Dëshmorëve’ deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”.

Po në këto akse do të ketë edhe bllokime me intervale kohore gjatë gjithë ditës për të bërë të mundur kalimin e liderëve europianë që do të mbërrijnë në Tiranë që prej ditës së sotme. Prej ditës së sotme do të ndalohet edhe qarkullimi rreth zonës së stadiumit ‘Air Albania’ ku do të zhvillohet edhe samiti. Kjo zonë do të merret që sot në mbrojtje nga Policia e Shtetit.

Ndërkohë, në zonat e sigurisë do të lejohet kalimi i këmbësorëve dhe i banorëve rezidentë. Ndërsa, për punonjësit e institucioneve dhe subjekteve që ndodhen në perimetrin e ngushtë të sigurisë rreth ‘Air Albania’ do t’u kërkohet edhe karta e identitetit.

Të martën, dita e zhvillimit të punimeve të samitit BE-Ballkani Perëndimor, bllokimi i akseve do të bëhet që në orën 07:30 të mëngjesit deri në përfundim të aktivitetit. Në këto rrugë nuk do të lejohet askush të lëviz me makina pas kësaj ore. Do të bllokohen akset e mëposhtme, si edhe rrugët që lidhin rrugën e Elbasanit me atë ‘Papa Gjon Pali II’,

Rinas Qafë- Kashar, autostrada Tiranë-Durrës, sheshi ‘Shqiponja’, unaza e Astirit, Kopshti Botanik, rrethrrotullimi i Saukut, rrethrrotulimi te ‘Varrezat e Dëshmorëve’, rruga e Elbasanit deri në urën e ‘Elbasanit’ dhe kalimi për në drejtim të aktivitetit, rrugët që lidhin rrugën e Elbasanit me atë ‘Papa Gjon Pali II’, tha Qato në Report Tv.

Ndryshim të kursit do të ketë edhe transporti publik, i cili nuk do të lëviz dot në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe “Bajram Curri”. As mjetet e tonazhit të rëndë nuk do të lejohet të qarkullojnë me 6 dhjetor.