Kreu i Policisë së Shtetit Muhamed Rrumbullaku zbuloi detaje nga masat e sigurisë së marra në lidhje me 32 delegacionet që do të vijnë në Tiranë më datë 6 dhjetor. Ai zbuloi edhe perimetrin e sigurisë për këto delegacioni duke e cilësuar “vijë e kuqe, e cila nuk mund të shkelet”.

Rrumbullaku tha se “vija e kuqe” fillon nga Rinasi, në Kashar, e gjitha rruga nga Kashari deri në rrethrrotullimin “Shqiponja” në drejtim të Astirit. Po ashtu, vijohet me zonën e Kopshtit Zoologjik, Unaza e Re, deri në Sauk dhe më pas Rruga e Elbasanit deri në zonën e stadiumit “Air Albania”.

I gjithë aksi do të konsiderohet i bllokuar dhe sipas Rrumbullakut nuk do të lejohet lëvizja.

“Të gjithë rezidentët që janë brenda këtij territori, i vetmi kufizim do të jetë lëvizja me mjete. Nuk do të lëvizet me mjete, por në këmbë. Ky rregull vjen edhe për shkollat. Secili duhet të paraqesë dokumentet për vendin e punës”, tha Rrumbullaku duke konfirmuar se mësimi dhe puna në institucione do të vijojë normalisht.