Granit Xhaka ka reaguar pasi festoi me një fanellë me numrin 26 që lexonte “Jashari”, pas fitores së Zvicrës ndaj Serbisë.

Xhaka ka sqaruar në konferencën për shtip se nuk kishte asgjë politike në këtë festë, e cila ishte e dedikuar për Ardon Jasharin, një tjetër futbollist shqiptar, i cili konsiderohet si një ndër talentet e rinj dhe është ftuar në Botëror nga Zvicra, edhe pse nuk ka luajtur asnjë minutë.

“Jo, nuk kishte asgjë politike brenda kësaj. Ishte një referim dhe dedikim për Ardonin, i cili është një i ri që po rritet shpejt, e të cilin e këshilloj shumë dhe që meriton shumë respekt për atë që është duke e bërë”, tha Xhaka.

Ai ndau edhe një foto në Instagram, ku shprehu krenarinë për skuadrën e tij.

“Nuk mund ta përshkruaj sa e mirë është kjo ndjenjë. Shumë krenarë për djemtë e mij. Raundi i 1/16-ave të Kupës së Botës. Ia dolëm”, shkroi Xhaka.