Gentjan Funiqi alias Gentjan Doçaj alias Gentjan Martini alias Festim Olomani është vënë në pranga në Seville të Spanjës pasi akuzohet se ka urdhëruar pengmarrjen e Jani Prengës, ngjarje e ndodhur në vitin 2020 në Kamëz. Në njoftimin e Policisë së Shtetit bëhet me dije se 40-vjeçari, në momentin e kapjes nga Policia, mbante një kartë identiteti bullgare të falsifikuar, me gjeneralitete R. I., dhe një sasi lënde narkotike, të cilat janë sekuestruar nga Policia. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit”.

I arrestuari do të jetë personi i dytë që do të mbyllet në qeli për pengmarrjen e Prengës, të cilin ende nuk i është gjetur trupi. Aktualisht i vetmi i dënuar është Festim Bexhdili, i cili ka marrë burgim të përjetshëm nga Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Ai është shpallur fajtor për rrëmbimin me pasojë vdekjen dhe zhdukjen e kufomës së Jan Prengës. Sipas dosjes hetimore, Bexhdili kishte rolin e fshirësit të gjurmëve dhe ka rrëfyer se është i punësuar si kopshtar në kompleksin “Golden”, dhe pasditen e 17 janarit të vitit 2020, pronari Altin Hajri i kërkoi të nxirrte nga kompleksi trupin e pajetë të një personi.

Vrasja e Prengës erdhi pas vjedhjes së 260 kg kokainë nga vëllai i viktimës në Portin e Portsmuthit. Kokaina u vodh nga Astrit Prenga, Gëzim Shullani, Xhuliano nga Shkodra dhe një rumun. Pronarët morën hakun në Shqipëri! Fillimisht u vu në pranga tetë persona, kryesisht anëtarë të familjes Hajri, por ata u liruan një e nga një. Për gjykim janë dërguar: Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta e Korado Kështeja. Gjithashtu të pandehur janë marrë Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, SPAK pretendon se Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) kanë urdhëruar rrëmbimin, ndërsa organizimi është kryer nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Keshteja. Rrëmbimi është bërë në Shqipëri në datën 17.01.2020, nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar.

Njoftimi nga Policia e Shtetit

Finalizohet, brenda 24 orëve të fundit, një tjetër operacion ndërkombëtar për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Operacioni policor i koduar “Seville” u zhvillua nga Policia spanjolle, në bashkëpunim me Policinë shqiptare. Falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale, mes Policisë së Shtetit dhe Policisë spanjolle, u bë e mundur kapja në Spanjë dhe arrestimi me qëllim ekstradimi, i një shtetasi shqiptar shumë të kërkuar, i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për krime kundër personit. I shumëkërkuari qarkullonte në Spanjë, me dokumente të falsifikuara. Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara në bashkëpunim me homologët, falë punës hetimore të kryer nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, për lokalizimin dhe kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, që janë të shpallur në kërkim ndërkombëtar, falë shkëmbimit të informacionit në kohë reale, me homologët spanjollë, në kuadër të operacionit “Seville”, u kap nga Policia spanjolle dhe u arrestua, me qëllim ekstradimi, shtetasi i shumëkërkuar G. F. alias G. M. alias F. O., 40 vjeç, nga Shkodra. Ky shtetas, në momentin e kapjes nga Policia, mbante një kartë identiteti bullgare të falsifikuar, me gjeneralitete R. I., dhe një sasi lënde narkotike, të cilat janë sekuestruar nga Policia. 40-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit”. Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në vitin 2020, në Kamzë, Tiranë, ka marrë peng shtetasin J. P. Interpol Tirana po punon për ekstradimin e këtij shtetasi drejt vendit tonë.