Europol  ka ndërmarrë një aksion masiv për mbylljen e faqeve online, të cilat shisnin produkte false. Ky aksion është shtrirë në 27 vende të botës, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.

Gjetjet kryesore të operacionit që u zhvillua nga 1 maji deri më 14 nëntor tregojnë gjithashtu se më shumë produkte të falsifikuara po grumbullohen brenda kufijve të Bashkimit Evropian dhe se krimi i pronësisë intelektuale është i ndërthurur ngushtë me krimin e rëndë dhe të organizuar.

Agjencitë e zbatimit të ligjit në disa kontinente kanë mbyllur 12 526 faqe interneti. Po ashtu janë shkëputur 32 serverë të përdorur për të shpërndarë dhe pritur përmbajtje të paligjshme për 2 294 kanale televizive dhe kanë mbyllur 15 dyqane online, që shesin produkte të falsifikuara në faqet e mediave sociale.

Në fushën fizike, hetuesit sekuestruan 127 365 produkte të falsifikuara si rroba, ora, këpucë, aksesorë, parfume, pajisje elektronike me vlerë më shumë se 3.8 milionë euro.