Xhaxhai i Ervis Martinajt, Faik Martinaj ka deklaruar se nipi i tij është vrarë nga 6 banda të organizuara e ideuara nga kryeministri Edi Rama. Në një inytervistë në emisionin ‘Pa Gjurmë’ në Report Tv, Martinaj ka theksuar se vrasja e nipit të tij është bërë për pronat në bregdet. Po ashtu ai ka kujtuar edhe një thirrje që Rama ka bërë në fushatën e zgjedhjeve të kaluara, ku ka deklaruar se ‘ia di targën’.

“Edi Rama na e ka dhënë mesazhin që në fushatën e vitit të kaluar, që i ka thënë se “i them atij drejtorit të basteve” dmth që atëherë na ka kërcënuar, se “ia dimë targën e makinës” e kështu dmth. Unë e di zhdukjen e nipit tim, është kryeministri, organizatori është kryeministri Edi Rama me bandat e tij edhe me gjithë oligarkët që i kanë interesat nga bregdeti i jugut” shprehet Martinaj.

Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim.

Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova. Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version, pasi edhe Rama u tërhoq. Ai tha se përderisa nuk ka prova, Policia e Shtetit nuk do të shprehet zyrtarisht për këtë dosje.