Xhaxhai i Ervis Martinajt, Faik Martinaj ka thyer sot heshtjen për zhdukjen e nipit të tij. Duke folur në emisionin “Pa Gjurmë”, xhaxhai i Martinajt, i cili i mëshon faktit se nipi i tij është vrarë me urdhër të kryeministrit Edi Rama, i bëri thirrje atij që të nxjerrin xhenazen e tij që të ketë një varr ku familjarët ta qajnë. Po ashtu ai theksoi se Martinaj është ekzekutuar për pronat në bregdet.

Pjesë nga Intervista:

Faik Martinaj: Dëgjo! Me gjithë konsoderatën për policinë se unë kam punu ca vite në polici të shtetit, nja dhjetë vite. Me gjithë konsideratën që kam për drejtorin e policisë së shtetit, por nuk e len kush. A e kupton? Nuk e len kush. Se janë të gjithë të kapur nga Edi. Nuk i len ai. E kupton? Ai kundërshtarët politikë…

Ndërhyn gazetari Sokol Dema: Policia ju ka dhënë një verdikt, një provë përderisa jeni kaq i bindur? Dispononi ndonjë provë?

Faik Martinaj: Prova është Edi Rama, që na ka dhënë deklaratën në fushatën e kaluar. Na ka thënë “edhe në brimë të miut, ne jua dimë targën e makinës”. Ky është ideatori, ky është iniciatori, ky është me bandat e tij, ky është me oligarkët që ka zaptu bregdetin e jugut, janë interesa. Këtë edhe budallai e kupton… por ai ka të drejtë me fol, ne s’kemi të drejtë me fol. Ai të prangos, ai të vret, ai ta zhduk kufomën, ai t’i bën të gjitha. Unë do t’i bëj thirrje nëpërmjet emisionit tuaj: Të paktën xhenazen nxirre, të ketë një varr!

Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim.

Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova. Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version, pasi edhe Rama u tërhoq. Ai tha se përderisa nuk ka prova, Policia e Shtetit nuk do të shprehet zyrtarisht për këtë dosje.