Në Shkodrën e atyre viteve, nuk ishte e vështirë të dallohej se diçka mungonte. Në çdo tryezë diskutohej se këtij qyteti i mungonte diçka. Edhe pse klasa intelektuale e qytetit kishte kohë që ziente brenda vehtes, ajo akoma nuk kishte dalë në sipërfaqe.

Këtij qyteti, simbol të kulturës dhe dijes, i mungonte ajo që do ta diferenconte dhe të bënte të parin ashtu si përherë në historinë e vendit, një shkollë shtetërore laike

Në këtë Gjimnaz të Shtetit, një Institut i mesëm i teknikës arsimore, ushtruan profesionin një trupë mësuesish patriotë të përgatitur në Universitet e Evropës, të cilët zbatuan programet më efikase të një sistemi shkollor më të përparuar të kohës. Të parët ishin Prof. Kolë Kamsi, Simon Rrota, Ndue Paluca, Ruhi Zeka, Luigj Shala,…..(më vonë ndër vite në këtë gjimnaz u emëruan shumë Personalitete të shquara, si Xhevat Korça, Aleksandër Xhuvani, Skender Luarasi, Eqrem Çabej, Mustafa Demiri)… Mësuesit punuan me programin e gjimnazeve franceze të pranuar nga Kongresi Arsimor 1922.

Ndër figurat më të spikatura që hyri thellë në memorjen e shkodranëve dhe më vonë të gjithë shqiptarëve ishte Prof. Dr. Mirash Ivanaj. Mjaftuan vitet e para të veprimtarisë padagogjike të Ivanajt, në qytetin e lashtë të kulturës, për të konturuar në shembëlltyrën e mësuesit, edukatorit, drejtuesit dhe organizatorit me dije të shumanëshme, të thella, të qëndrueshme dhe aktive. Si drejtor i gjimnazit. Ivanaj në zbatimin origjinal të programit shkencor e pedagogjik për formimin kulturor të nxënësve, kërkonte vendosjen e çdo shkence mbi themele shqiptare, që përparimi i shkollës të ishte në dobi të zhvillimit të vendit. Shumë e rëndësishme për Ivanajn ishte zhdukja e ndasive fetare, krahinore, që propogandat e huaja ndër shekuj kishin helmue mendjen dhe shpirtin e shqiptarëve. Ai mbronte idenë se shkolla, do të hapi horizonte të reja me studimin e shkencave, sidomos të matematikës.

Pas mbarimit të luftës së dytë botërore dhe instalimit të regjimit komunist në Shqipëri, gjimnazi i Shkodrës do të kisthe edhe ai levizjet për liri dhe demokraci. Levizje të cilat do të ishin të hershme që në vitet 1945-1950, ku edhe pse të shtypur me forcë, gjimnazistët e Shkodrës do të ishin pjesë e torturave dhe burgosjeve
Performanca e një shkolle vlerësohet me rezultatet e saj, me përgatitjen shkencore dhe kulturore, me aftësinë pёr të përgatitur qytetarё tё denjё tё sё ardhmes, e kjo shkollë në këtë drejtim e ka traditën e hershme. Në vitin 1924, Ministri i Arsimit Rexhep Mitrovica shkruan: “Merrni një nxanës të gjimnazit të Shtetit në Shkodër, e bani një pyetje në histori. Do të shihni se përgjigjia e tij nuk do të përmblidhet në të thanun përmendësh të ngjarjes, por ka me analizu faktorët e saj, me ba kritikën, me gjet gabimet dhe jep gjykim mbi përfundimin sipas kapacitetit të tij”. Kjo thënie, megjithëse daton 95 vite më parë ,është vërtetuar nga viti në vit dhe mbetet aktuale dhe sot. Kjo i dedikohet punës së përkushtuar, serioze e plot pasion të mësuesve, nxënësve dhe bashkëpunimit shumë të ngushtë me prindërit kësaj shkolle.

Shumica e nxënësve, me formimin dhe përgatitjen e duhur nga ky gjimnaz, kanë vazhduar e vazhdojnë me sukses studimet e larta në universitetet më të mira, jo vetёm brenda vendit, por dhe në universitetet më të mira në botë, duke reflektuar përgatitjen e duhur shkencore dhe kulturore si bazë të shëndoshë për thellimin e njohurive të marra në bangat e kësaj shkolle.

Nga vitet 1975 e në vazhdim, krijohen rrethet e matematikës, fizikës, kimisë e biologjisë, nën drejtimin e mësuesve të talentuar, ku në procesin e pёrgatitjes pёr olimpiada, është përdorur literaturë bashkëkohore, duke bërë që nxënësit e gjimnazit të dalin të parët në olimpiadat dhe konkurset e zhvilluara në shkallë rrethi
Në vitet 90-të, Gjimnazi i Shkodrës, do të ishte në krye të levizjeve demokratike. Ishin gjimnazistet e shkollës 28 Nëntori që ashtu si e gjithë shoqëria do të kërkonin ndryshimin e sistemit, rrëzimin e diktaturës dhe vendosjen e një sistemi demokratik. Të rinjtë nuk kishin frikë, të rinjtë e Shkodrës, e në mënyrë të vecantë të rinjtë e gjimnazit 28 Nëntori, ishin aty përkrah gjithë rinisë së Shkodrës që ishte përherë burim frymëzimi për të gjithë brezat

Me ndryshimin e sistemit, pavarësisht viteve të tranzicionit, kjo shkollë nuk e humbi rëndësinë e saj. Vitet 90-të sollën ndryshime në cdo sferë, por stafet pedagogjike, nxënësit e gjimnazit te Shkodrës, tregonin cdo vit se ato nuk e kishin ndalur në asnjë cast së menduari se kjo shkollë është symbol I një qyteti, eshte symbol I vlerave më të mira të Shkodrës

Në vitin 1999 Gjimnazi zgjidhet si shkollë pilot për implementimin e kurrikulës me profilizim (natyror dhe shoqëror). I gjithë stafi pedagogjik i asaj kohe, falё pёrdorimit tё literaturёs shkencore bashkëkohore, si dhe duke bashkëpunuar me njёri-tjetrin, arritën me sukses zbatimin e kësaj kurrikule, Si rezultat kësaj pune studimore e metodike 90% e maturantëve të atyre viteve shpallen fitues në të gjitha konkurset e zhvilluara nga degët e universiteteve.

Nga viti 2000 e në vazhdim nxënësit e gjimnzit 28 Nëntori janë fitues të përvitshëm të olimpiadave kombëtare në matematikë, fizikë, kimi, biologji dhe informatikë. Ne olimpiadën kombëtare të matematikës nga viti 2000 e deri në vitin aktual, shumica e 30 nxënësve që janë fitues të vendeve të para, të dyta dhe të treta, janë anëtarё të ekipit kombëtar të matematikës, duke përfaqësuar denjësisht Shqipërinë.
Në vitin 2009 në të gjitha shkollat e mesme të përgjithshme zbatohet kurrikula e re me sistemin tre-vjeçar (nga klasa e 10-të deri tek e 12-ta)

Stafi pedagogjik i gjimnazit me aftësinë e tij në përditësimin herë pas here me të rejat në fushën e mësimdhënies, bën një punë intensive për zbërthimin e kurrikulës me bazë kompentencat, duke zbërthyer programet lëndore për çdo lëndë, duke ndërthurur mësimdhënien tradicionale me atë bashkëkohore, me pikësynimin “rëndësinë e të aplikuarit të teknikës si duhet dhe aty ku duhet” duke ndikuar pozitivisht në arritjet e nxënësve, të cilët rezultojnë të jenë fitues në preferencat e para dhe të dyta në të gjitha degët e dëshiruara

Që nga viti 2011 në gjimnaz është hapur edhe seksioni dygjuhësh italo- shqiptar, një mësimdhënie dygjuhëshe e dykulturore e cila ka patur rezultate mjaft të larta edhe falë mbështetjes së Zyrës Shkollore pranë Ambasadës Italiane në Shqipëri. Gjatë këtyre viteve nxënësit e këtij seksioni kanë fituar vende nderi në konkurset kombëtare e ndërkombëtare në lëndët shkencore e kulturore. Vlen të përmendet marrja e çmimit të parë në konkursin ndërkombëtar për Booktrailer të shtëpisë botuese Mimesis në Milano. Nxënësit kanë përfaqësuar në mënyrë dinjitoze përgatitjen në këtë seksion gjatë vijimit të studimeve në universitetet më me emër të Italisë.

Por gjimnazi nuk është një institucion I cili përqendron vëmendjen e tij vetëm te përgatitja shkencore. Stafi dhe nxënësit e këtij gjimnazi janë promotorë të lëvizjeve shoqërore në qytet duke synuar kthimin e këtij institucioni në një qendër prej së cilës mund të fillojë ndërgjegjësimii një komuniteti të tërë ndaj çështjeve që e shqetësojnë atë.
I shpallur si Shkollë Qendër Komunitare në vitin 2015, ky gjimnaz fillimisht pezanton projektet e tij lidhur me mënyrën si e sheh zhvillimin e komunitetit dhe bëhet gjithashtu aktor që vë në lëvizje organizma shoqërorë e institucionalë lidhur me çështje të rëndësishme si të drejtat e njeriut, bashkëjetesa fetare, puna në komunitet për mbështetjen ndaj fëmijëve romë, mbrojtjen e mjedisit, mbajtjen gjallë të kulturës së leximit e të artizanatit. Kështu dyert e këtij gjimnazi janë hapur për të pritur të gjithë anëtarët e komunitetit që ishin të gatshëm të përfshiheshin në kauza humanitare e shoqërore.

Jeta kulturore e sportive në gjimnaz është e pasur me veprimtari që synojnë nxitjen e talenteve në fusha të ndryshme si të artit, ashtu edhe të sportit. Nuk kalojnë pa jehonë në qytet asnjë prej këtyre veprimtarive. Pjesë e stafit të kësaj shkolle janë kampionë kombëtarë të cilët promovojnë e edukojnë nxënësit e talentuar në disiplina të ndryshme të sportit.
Kjo shkollë në 100 vite, ka zbuluar celësin e saj të suksesit: ndërthurjen e saj mes brezave, jo vetëm të nxënësve por në mënyrë të vecantë të atyre që dhanë dhe japin gjithcka, mesuesve dhe stafit pedagogjik në vite
Motoja e gjimnazit të Shkodrës, është të përcojë tek nxënësit dijen, besimin, dëshirën, pasionin, vullnetin, të menduarit kritik, hulumtues e krijues, në mënyrë që tradita e këtij gjimnazit të vazhdojë.

Aktualisht në këtë shkollë, janë 630 nxënës, ndërkohë që stafi mësimor përbëhët nga 41 mësues përfshirë edhe drejtuesit, 13 mësues janë diplomuar në Universitetin e Tiranës; 5 mësues janë diplomuar në I.L.K.F; 19 mësues janë diplomuar në Universitetin e Shkodrës. 9 mësues janë me Master Shkencor ,4 mësues me Doktoraturë.
I renditur tri herë si gjimnazi parë në Shqipëri për Maturën Shtetërore, e të gjitha herët e tjera ndër 5 më të mirët, ky gjimnaz, edhe në 100-vjetorin e tij të hapjes, shënon arritje sepse përveç rezultateve të larta, i shton listës së ndritur të medalistëve të artë edhe tre emra të tjerë.

Nuk është rastësor vlerësimi I këtij gjimnazi në 100-vjetorin e tij. Ai vjen si rezultante e punës së madhe të brezave të shkuar e aktualë, qofshin këta mësimdhënës apo nxënës, të cilët në rrugën e përsosjes së punës së tyre, bënë që kjo shkollë të ruajë përgjatë një shekulli, pa e humbur në asnjë moment, shkëlqimin e një vatre gjithmonë të ngrohtë të mendimit intelektual përparimtar shqiptar.

Me 5 Tetor të vitit 2022, Presidenti Republikës e nderon me titullin e lartë Nderi I kombit këtë gjimnaz, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të dhënë për arsimimin dhe edukimin e brezave gjatë një shekulli, duke i udhëhequr ata në rrugëtimin e dijes. Me mirënjohje për figurat e shquara të arsimit të këtij institucioni, të profesionalizmit dhe përkushtimit të mësuesve, të arritjeve të larta të nxënësve, të cilët kanë vendosur gurë themeli në arsimin kombëtar.”