Shqiptarët që mbërrijnë në Angli në rrugë të paligjshme do të deportohen më shpejt seç ndodh tani. Ky plan është miratuar nga qeveria britanike dhe po punohet për ta vënë në zbatim sa më shpejt të jetë e mundur. Plani është propozuar nga Sekretarja e Brendshme, Suella Braverman.

Shqipëria konsiderohet si vend i sigurt dhe emigrantët nga këtu nuk kanë të drejtë të kërkojnë azil dhe as të apelojnë vendimin e dhënë. Kërkesat për azil nga Shqipëria dhe vendet e tjera të sigurta do të konsiderohen të pabazuara sipas planeve, përveç nëse ekziston një arsye specifike për pranimin e tyre.

Ky vendim vjen pasi emigrantët shqiptarë janë kthyer në një nga problemet kryesore për Britaninë, pasi nga 43 mijë emigrantë që kanë kaluar Kanalin me gomone, 12 mijë kanë qenë shqiptarë.

“The Times” raporton se qeveria do të ringjallë një politikë të re laburiste, e cila vendos vendet e sigurta në listën e bardhë dhe trajton kërkesat për azil prej tyre brenda 20 ditëve.

Lista është gati, por nuk është përdorur kohët e fundit për shkak të sfidave ligjore. Ajo përfshin të gjitha vendet e BE-së si dhe Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi, Indinë, Mongolinë, Afrikën e Jugut, Korenë e Jugut dhe një numër vendesh të Amerikës së Jugut.

Kërkesat për azil do të konsideroheshin vetëm në rast se azilkërkuesit pretendojnë se janë persekutuar nga shteti, nga bandat ose grupet kriminale. Një listë e dytë e “përcaktimit të pjesshëm” deklaron disa vende të sigurta për burrat, por jo gratë dhe fëmijët. Këto përfshijnë Ganën, Nigerinë, Gambian, Kenian, Liberinë, Malajzinë, Malin dhe Sierra Leonen.