Edhe 4 muaj pas zhdukjes, vijon të mbetet mister fati i të shumëkërkuarit të drejtësisë, biznesmenit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj.

Gjurmët e fundit të Martinajt janë regjistruar rreth datave 8-9 gusht të këtij viti, ku më pas ai u denoncua nga familjarët e tij si i zhdukur, pasi ata thanë se kishin humbur kontaktet me të.

Policia po heton në dy pista lidhur me këtë çështje, atë të rrëmbimit nga kundërshtarët dhe atë të inskenimit.

Ndërkohë kujtojmë se kryeministri Edi Rama reagoi lidhur me këtë çështje për herë të parë më 7 shtator, duke kërkuar me këmbëngulje që policia të zbardhte ngjarjen brenda 100 ditëve. Kjo porosi ishte edhe një sfidë për drejtorin e ri të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili sapo kishte marrë detyrën.

Por sipas llogarive kanë mbetur edhe 8 ditë nga përfundimi i afatit të vendosur nga Rama dhe ende nuk ka asnjë gjurmë të të shumëkërkuarit.

Në disa deklarata të mëhershme për mediat, të bëra nga Rrumbullaku, por dhe nga Rama, është deklaruar se Policia ka një përgjigje, por nuk ka ende prova të mjaftueshme për ta bërë publike.

Ndërkohë që fati i Martinajt mbetet mister, enigmë mbetet edhe reagimi që do të pasojë nga shefi i ekzekutivit dhe Ministri i Brendshëm lidhur me këtë ngjarje, pas skadimit të afatit që Rama vendosi për zbardhjen e saj.

Kujtojmë se Martinaj është një personazh i njohur i botës së biznesit të lojërave të fatit, por edhe të krimit, pasi ai akuzohej për disa vepra të ndryshme penale, ku e fundit ishte porosia për vrasjen e numrit 2 të bandës së Durrësit, Endrit Dokle, për të cilën foli i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani.