Tragjedia me 2 të vdekur nga moti i keq, kryebashkiaku i Malësisë Madhe: Të merren masat e duhura për ndërtimin e urës

Tonin Marinaj, kryetar i bashkisë së Malësisë së Madhe, në një intervistë për Report Tv në ‘Studio Live’, thotë se pas tragjedisë ku humbi jetën Pjetër dhe Jason Rrushaj, pasi u morën nga rrjedha e furishme në Grykë Lugje, duhet të ndërtohet në urë. Marinaj tha se rruga ka qenë gjithmonë pa ure, por nuk ka ndodhur ndonjëherë që të ketë prurje të tilla dhe pas këtij rasti duhet parë.

‘Ajo rrugë në vazhdimësi ashtu ka qenë. Përroi shumë rrallë rritet, nuk është se ka pasur ndonjë rast të tillë ndonjëherë, por që ndodhi kjo fatkeqësi, është rrugë e ARRSH-së dhe shpresoj që të merren masat e duhura.’- u shpreh Marinaj.

Marinaj risollli edhe një herë në vëmendje tragjedinë ku u mbytën babë e bir duke treguar se si ndodhi.

‘Këto ditë ka pasur reshje, por është bërë i ditur edhe një rast shumë i vështirë për zonën tonë për babë e bir që u mbytën. Duhet të organizohet strukturat e bashkisë dhe të qeverisë. Ato ishin duke shkuar në drejtim të Bogës, atje ka një banesë të tij, një shtëpi të dytë. Duke menduar se edhe të tjerë kanë kaluar në atë aks e ka menduar se mund ta kalojë lehtësisht. Makina ka mbetur aty. Ka zbritur vajza nga makina për të kaluar në krahun tjetër dhe një mjet që ta tërheqë dhe nga reshjet e mëdha ka ndodhur tragjedia pasi ka marrë makinë, Pjetri me të birin kanë dalë që të shpëtojnë por nuk kanë mundur. Është një përrua shumë i furishëm kur çohet nga reshjet.’- tha Marinaj.

Pjetër dhe Jason Rushaj ishin viktima të motit të keq që përfshiu vendin ditët e fundit. Pjetër Rrushaj bashkë me të birin, Jasonin 13 vjeç u gjetën pajetë një ditë pasi rrjedha e përroi të Thatë përpiu makinën e tyre në fshatin Bogë të Malësisë së Madhe.

Reshjet e dendura të shirave në ditët e fundit shkaktuan probleme në disa qarqe të vendit, e kryesisht situata ishte me problematike në Shkodër dhe në Lezhë, ku mijëra hektarë tokë ishin nën ujë, ndërsa disa familja u evakuuan. Ndërkohë situata ditën e sotme është përmirësuar ndjeshëm. Deri më tani janë 23 familje të evakuuara, 1 në Lezhë dhe 26 në Shkodër, e ndërsa në total janë 2985 ha që vijojnë të jenë nën ujë. Nuk ka pasur probleme sa i përket lëvizjes në akset e rrugëve në rajonin qendror dhe jugor të vendit.