Gazetari Artan Hoxha ka ‘zbërthyer’ lëvizjet e fundit që janë bërë nga ana e autoriteteve për gjetjen e zbardhjen e misterit të Ervis Martinajt, i shumëkërkuari që rezulton i zhdukur prej datës 9 gusht. I ftuar në studion e Neës24, Hoxha thotë se vetëm tre ditë më parë është bërë tentativa më e fundit për të gjetur më tepër informacione në lidhje me ta. Gazetari tha se duke pasur parasysh se çfarë përfaqësonte Martinaj në Shqipëri, ky kërkim duhet të ishte më i shpejtë.

“Ervis Martinaj i ka ndërprerë kontaktet me njerëzit e vet, familjen e vet. Kur them kontaktonte, ai kontaktonte çdo dy orë. Ai konktaktonte me familjarët përmes programeve të kriptuara deri në 9 gusht. Nga ai moment e më pas, pista që është ndjekur, që është hetuar është rrëmbimi. Dyshohet që ai të jetë eleminuar nga kundërshtarët e tij. Kundërshtarët e tij si anjëherë tjetër krijuan një aleancë, që unë e kam quajtur “Sindikata e re e Krimit në Shqipëri”. E kam quajtur edhe “Los Pepes” për shkak të tolerancës që kanë treguar për shkak të ngjarjeve të njëpasnjëshme që kanë ndodhur në Lezhë dhe në Fushë-Krujë. Një nga tentativat e fundit që është bërë për të mbledhur informacion mbi këtë ngjarje ka qënë para 3 ditësh. Mbase kanë gjetur ndonjë gjë, shpresoj. Por duke pasur parasysh se çfarë përfaqësonte Ervis Martinaj, rëndësinë që ka patur ai në dekadën e fundit, fakti që ai ishte operatori më i madh në lojërat e fatit, ishte operatori më i madh i fajdeve në shqipëri, duhej që ky hetim të ishte më i shpejtë dhe të kishte dhënë rezultate. Një zhdukje e tillë pa lënë gjurmë, aq më tepër në një vend kaq të vogël si Shqipëria…nuk e di,”- tha Hoxha.

Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim. Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova. Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version, pasi edhe Rama u tërhoq. Ai tha se përderisa nuk ka prova, Policia e Shtetit nuk do të shprehet zyrtarisht për këtë dosje.