Banorët e Njësisë Administrative Postribë në Shkodër kanë protestuar ditën e sotme sërish në lidhje me ujin e pijshëm.

Sipas banorëve uji në rubinetat e tyre vjen gjatë gjithë kohës i ndotur dhe shkak për këtë është gurorja e ndërtuar disa vite më parë për nxjerrjen e mermerit, ndërsa shtojnë se shteti duhet të marrë masa për zgjidhjen e kësaj situate.

Banorët kërkojnë që sa më shpejt firma të ndalë ndotjen e ujit ndërsa i bëjnë thirrje të gjithë familjeve në Postribë që të mos paguajnë faturën e ujit deri në marrjen e masave nga institucionet përgjegjëse.

Kjo nuk është hera e parë që këta banorë protestojnë për këtë çështje, që sipas tyre është kthyer në një problem të madh, pasi po i rrezikon çdo ditë jetën atyre dhe fëmijëve të tyre.