Brazili dhe Argjentina janë dy pretendentët për të triumfuar në Botërorin e Katarit. Braziliani Neymar, ka dhënë një intervistë për britaniken “The Telegraph”, ku ai analizon rolin e tij në kombëtare. Ai shpreson shumë të arrijë sukses në këtë kompeticion dhe të japë maksimumin për ekipin.

“Kupa e Botës është ëndrra ime më e madhe. Ka qenë e tillë që kur kuptova për herë të parë çfarë ishte futbolli. Tani kam një tjetër shans dhe shpresoj që t’ia dalë”, tha ai.

Ai rrëfen bisedat që shkëmben me Lionel Messin, ndërsa nuk heziton t’i shpallë sfidë “pleshtit” para fillimit të kampionatit botëror.

“Sigurisht që të gjithë kanë shpresa të mëdha për Botërorin dhe nuk është ankth, por emocion. Të gjithë duan që të jenë në Kupën e Botës.Ne nuk flasim shumë për të, por ndonjëherë bëjmë shaka sikur të përballemi ndaj njëri-tjetrit në finale. Unë i them Mesit se do të shpallem kampion dhe do ta mund atë dhe qeshim shumë”, tha ai.