Partia Socialiste e Shqipërisë në mbledhjen e kryesisë së zhvilluar të enjten ka vendosur të forcojë edhe më tej drejtimin politik në Shkodër. Përveç Elisa Spiropalit që do jetë drejtuese politike në nivel qarku, Partia Socialiste ka emëruar të deleguarin politik për bashkinë Shkodër, e vetmja që drejtohet nga e djathta në vendin tonë.
Prezantimi i Becit si drejtues politik për Bashkinë Shkodër u bë pasditen e së premtes nga Ministrja Spiropali, para Asamblesë së zgjeruar të Partisë Socialiste Shkodër.

Beci do koordinojë punën në bashkëpunim edhe me bashkëkryetarët e PS-së në bashki dhe njësitë administrative, për të përmbyllur edhe procesin e ristrukturimit të Organizatave Socialiste në çdo qendër votimi.

Deputeti Benet Beci edhe pse ishte ndër më të votuarit në qarkun e Shkodrës pas Paulin Sterkës, u caktua të drejtonte rrethin e Pukës, duke shkëputur edhe zinxhirin e krijuar gjatë fushatës në bashkinë Shkodër ku mori dhe numrin më të madh të votave. Emërimi 6 muaj para fushatës në krye të bashkisë Shkodër për Partinë Socialiste, i lë kohë mjaftueshëm për të vijuar aty ku e kishte lënë këtë proces dhe për të përgatitur terrenin për një kandidim të mundshëm në zgjedhjet e 14 Majit.

Përforcimi nga ana tjetër me dy bashkëdrejtues politikë, tregon edhe një vëmendje të shtuar të kryeministrit Edi Rama për të sfiduar Partinë Demokratike me shpresën që të thyejë këtë bastion të së djathtës për mëse 30 vite.