Nga Robin Perrie, THE SUN

Sait Shabaj dhe gruaja e tij Xheride kanë ndërtuar një shtëpi të re me paratë e dërguara nga djali, i cili shkoi ilegalisht në Britani, por muri rrethues i ka mbetur i papërfunduar plotësisht, pasi edhe ndërtuesi është larguar nga vendi për të shkuar në Angli.

Me kopshtin plot portokalle dhe me pamjen mahnitëse të mbi luginën e një lumi, vila rozë është pa diskutim më e bukura në fshat.

Saiti, 70 vjeç, dhe Xherideja, 53, kishin shpresa se djemtë e tyre – të gjithë jashtë vendit ditë do të ktheheshin pas ndërtimit të shtëpisë.

Por që të tre e kanë bërë të qartë se nuk e kanë ndërmend një gjë të tillë.

Më i riu, Nimeti, 30 vjeç, arriti në Britani me kamion dhe tani jeton në Londër.

Ndërkaq, prindërit janë kthyer në një nga qytetet fantazmë në veri të Shqipërisë, ku numri i tyre është në rritje.

Pjesë të mëdha të vendit po braktisen nga të rinjtë që shkojnë jashtë për paga më të larta dhe Britania e Madhe është destinacioni më i preferuar.

Shifrat e fundit zbulojnë se shqiptarët janë grupi migrant më i madh që kalon në mënyrë të ligjshme Ngushticën e La Manshit me gomone.

Rreth 12 mijë e kanë kaluar detin deri tani këtë vit, krahasuar me 50 më 2020, secili me pagesa deri në 20 mijë euro te trafikuesit e njerëzve.

Shumë vijnë nga fshatra të vegjël në zona të varfra rurale të vendit, si Rraseku.

Por largimi i kaq shumë të rinjve do të thotë që qindra fshatra po vdesin.

Rraseku kishte 500 banorë, ndërsa tani ka vetëm 100.

Saiti, elektricist në pension, thotë: “Është problem i madh, sepse tani vetëm pleq kanë mbetur. Të gjithë të rinjtë kanë ikur për punë, po ashtu edhe gratë. Prandaj edhe nuk po gjej ndërtues për të përfunduar murin e përparmë”.

Teksa qëron portokalle nga të kopshtit të tij, thotë se kishte vetëm një rrugë për të ndërtuar shtëpinë e madhe që ka kushtuar 100 mijë paund.

“Anglia është vendi më i mirë në botë”, thotë. “Është kampioni i destinacioneve. Gjithmonë është konsideruar si vendi më i mirë për të shkuar. Në çdo vend tjetër të Evropës pagat janë më të ulëta se në Angli. Në Shqipëri mund të fitosh deri në 30 paund në ditë, në Angli 150. Kur njerëzit shkojnë në Angli, gjejnë punë dhe ndihmojnë ata që kanë mbetur këtu për të ndërtuar shtëpi, siç kemi bërë ne”.

“Njerëzit shkojnë në Belgjikë apo Francë, qëndrojnë atje pak javë dhe paguajnë nga 5 mijë deri në 20 mijë paund për të hipur në kamionë që shkojnë Angli përmes Eurotunelit. Mund të duket si shumë shtrenjtë, por ia vlen, se Shqipëria është e falimentuar. Gjithçka është shkatërruar në këtë vend, kështu që të rinjtë marrin borxh dhe e dinë që për katër-pesë vjet do ti kenë shlyer.

I biri, Nimeti, ndoqi atë rrugë të paligjshme shtatë vjet më parë. Më pas u martua me një grua në Angli, çka i dha të drejtën e qëndrimit në Britani.

Ai punon në ndërtim dhe vazhdon të dërgojë pará në shtëpi, ashtu si dhe vëllezërit më të mëdhenj që punojnë si ndërtues në Greqi e Itali.

Njëri prej tyre ka punuar më parë edhe në Angli dhe Saiti ka edhe dhjetë të afërm të tjerë atje.

Edhe bariu i dhive, Jetmir Hyseni, 50 vjeç, një nga të paktit që kanë mbetur në fshat, thotë: “Sikur të më jepej rasti, do të ikja që sot. Në Angli do të mund të fitoja 50 a më tepër paund në ditë, këtu marr vetëm dy”.

Dashamir Plangaj, 49, është edhe më keq. Ai fiton një paund në ditë me kalin që e përdor për të ndihmuar fqinjët të transportojnë apo lëvizin objekte të rëndë.

Por ai dhe e shoqja Lavdija, 51, të cilët më parë jetonin në një stallë guri, tani jetojnë në një shtëpi të ndërtuar për ta nga fqinjët zemërmirë, me paratë e dërguara nga djemtë që punojnë në Angli.

Ata shpresojnë se edhe dy djemtë e tyre një ditë do të ndjekin të njëjtën rrug.

Lavdija thotë: “Ata punojnë si druvarë në pyll dhe ne do të donim që të shkonin në Angli. Çdo gjë është më mirë në Angli”.

Sait Shabaj e pranon që shtimi i qyteteve fantazmë në Shqipëri është shqetësim dhe thotë: “E dimë që në Angli nuk janë të lumtur me kaq shumë imigrantë nga Shqipëria. Por ne kemi dëgjuar që Anglia ka nevojë për punëtorë dhe shqiptarët janë punëtorë të mëdhenj. Para se të ndërtonim këtë shtëpi jetonim në një ndërtesë guri me një dhomë gjumi. Sikur ta kisha pasur mundësinë kur isha më i ri për të shkuar në Angli, do të kisha shkuar”.