Pas tre javësh bojkot, nga kjo e hënë ka nisur proçesi i rregullt mësimor në Universitetin e Shkodrës. Kjo pas arritjes së marrëveshjes së senatit akademik me sindikatën e pedagogëve. Ndërkohë, kreu i kësaj sindikate në Shkodër, Petër Saraçi, tha se vazhdojmë kërkojmë pikat e tjera që nuk janë finalizuar.

Saraçi: Njoftoj se në bazë edhe të vendimit të SPUSH është vendosur të ndryshohet mënyra e protestës në arritjen e pikave. Tani do të fillojmë procesin mësimor duke ndryshuar mënyrën e protestës me dalje publike në orare të përcaktuara, duke tentuar të bindim dhe studentët për qëllimin e protestës dhe ecurinë në të ardhmen.

Në mbledhjen e senatit u vendos të pranohen kërkesat e sindikatës dhe pse me vonesë. Gjithsesi jemi të kënaqur në miratimin e pikave të kërkuara, vazhdojmë të kërkojmë pikat e tjera. Do t’i qëndorjmë kërkesave tona por në protesta me rrugë të tjera jo duke bojkotuar mësimin.

Shpresoj mos të vij momenti që të bojkotoj vetëm sindikata e universitetit Shkodër.

Me propozimin e rektores Suzana Golemi, në mbledhjen e kësaj të hënë të senatit akademik u vendos shtesa 8% e pagës për stafin akademik. Bëhet me dije se kjo shtesë do të bëhet e mundur duke hequr dorë nga një zë i investimeve, siç është “Rikonstruksioni i godinës së Rektoratit”.