Ashtu si çdo të dielë, famullitari Dom Mark Pashkja, po pret besimtarët e fshatit të Beltojës për meshën e shenjtë.

Pavarësisht apeleve dhe thirrjeve për të mos u larguar, sërish fshatrat janë bosh dhe ky është shqetësimi më i madh për famullitarin.

“Ju e patë edhe meshën e shenjtë në nivelin e pejsëmarrjes, dy faktorë vihen re lehtë, numri, lehtësisht i dallueshëm, dhe mosha e pjesëmarrësve. Shkolla e Beltojës numëronte qindar nxënës, kurse sot ka mbet me 12 nxënës, shkolla e Ashtit nuk i kalon 10 nxënës”, tha famulltari.

Ligori është emigranti i vetëm i rikthyer për të jetuar në fshatin e tij.

 “Unë jam tash e 25 vite në emigracion,  vendosa me ardh me bo një biznes në fshatin tim për popullin tim, por kur u ktheva pashë se këtu nuk ka mbet asnjë njeri, është më keq se në 1997-ën, po kërkoj punëtorë, por s’po gjej”, tha ai.

Në fshatin ku dikur ishte shumë e zhvilluar bujqësia sot duket se prodhohet vetëm emigracion.

“Këtu s’të del as me ngrënë bukë thatë mos me e mbajt emigracioni”, tha një banor.

“Shtymë, jam 62 vjeç dhe do iki se s’ka gjë në këtë vend”, u shpreh një tjetër banor.