Mësimdhënës të shkëlqyer, patriotë e atdhetarë, rilindës që luftuan me pushkë e penë për çështjen kombëtare, por dhe ekonomistë e administratorë të aftë. Në 12 breza familja Boriçi, i ka dhënë Shkodrës një sërë figurash të nderuara, me një aktivitet që i ka kaluar caqet e qytetit dhe i përket gjithë vendit. Brezat e kësaj familjeje shquhen për veprimtarinë e tyre atdhetare e patriotike, për nivelin e lartë të arsimimit, për kontributin në përhapjen e gjuhës shqipe, për reformat në fushën e ekonomisë para Luftës së Dytë Botërore, për bibliotekat e pasura dhe trashëgiminë kulturore e arsimore të tyre.

Historia e saj fillon në fshatin Boriç të Tivarit dhe sipas të dhënave të familjarëve, të parët e tyre janë vendosur në Shkodër në shekullin e 17-të, rreth vitit 1650. Fillimisht janë vendosur në lagjen Sudbeq, dhe më pas në lagjen Perash të qytetit, ku vazhdojnë akoma të jetojnë mjaft prej pasardhësve të tyre. Familja ka pasur shtrirje gjeografike dhe degë të saj edhe në disa rrethe të tjera. Pesë brezat e parë të familjes, janë hoxhallarë të arsimuar dhe të afërmit i mbajnë mend edhe sot, si: Hysenin, Rexhepin, Salihin, Mustafanë dhe Daut Boriçin. Më pas këtij misioni iu kushtuan dhe Shefqeti e Rizaja, deri në vitin 1967, kur regjimi komunist i Enver Hoxhës i ndaloi me ligj besimet fetare.

Bijtë e kësaj familjeje u punësuan më së shumti në administratën publike. Mustafai i brezit të pestë, ishte sekretar në Stamboll, Dauti, inspektor arsimi në Stamboll, e Drejtor Arsimi në Shkodër, Ahmeti, shërbeu në administratën turke si doganier e më pas në atë shqiptare, si drejtor i doganës, Ademi e Mustafaja, në gjykatë, Jonuzi në dogana, Sulejmani në gjendjen civile, Hajriu dhe Ihsani ushtarakë, ku i dyti kishte përfunduar edhe akademinë ushtarake.

Arsimimin e tyre para Luftës së Dytë Botërore e kryen në shkolla jashtë Shqipërisë, kështu Ihsani në Akademinë Ushtarake për ekonomi ushtrie, Zijaja në shkencat ekzakte, kurse Adem Boriçi, në vitin 1920 ishte anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës, përbërja e të cilit kishte raport të barabartë të besimeve fetare.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga familja Boriçi, u aktivizuan në luftën çlirimtare kundër pushtuesve, disa prej tyre, si: Et’hemi, Xhemali, Abazi, Nexhat Boriçi dhe mjaft të tjerë. Ndërkohë pas Luftës, ndër figurat mëtë njohura të kësaj familjeje, ishin dhe Hamid Boriçi, gazetar dhe pedagog, autor librash për fakultetin e gazetarisë dhe një nga krijuesit e tij, Bahri Boriçi, kryetar i Bashkisë Shkodër në vitet 1996-2000 dhe Vahid Boriçi, këshilltar në Presidencë, para dhe pas viteve ’90-të, ku ai shërbeu si shef protokolli me disa presidentë.

E veçantë e kësaj familjeje shkodrane janë dhe bibliotekat e pasura, që ruajnë trashëgimtarët e saj, ku përveç literaturës së pasur gjen dhe dokumente me rëndësi të të parëve të kësaj familjeje, dekrete emërimesh, ditarë e kronika të viteve të shekullit të 19-te më pas. Në bibliotekën Myhsin Boriçit, gjenden kopje të abetares së shkruar nga Daut Boriçi, dekretet e emërimeve të pjesëtarëve të kësaj familjeje në poste të larta të administratës.

Persekutimi: Boriçët që u detyruan të arratiseshin nga komunizmi

Disa nga pjesëtarët e kësaj familjeje intelektuale e të arsimuar, nuk i shpëtuan dot persekutimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Kështu janë burgosur e internuar 3 vëllezërit: Hajri, Fevzi dhe Nexhat Boriçi, ku ky i fundit, pasi u arratis në mal në vitet 1944-1946, u arrestua dhe u dënua me burgim dhe pas përfundimit të burgut u arratis jashtë vendit. Punoi si mësues në Kosovë ku kishte luftuar në vitin 1943 kundër pushtuesve, si vullnetar në batalionin “Besnik Çato” të forcave nacionaliste të rinisë së Ballit Kombëtar. Internime e burgime, përjashtime nga shkollat e mesme e mosdhënie të drejte për të shkuar në shkollë të lartë, pësuan dhe Ruzhdi Boriçi e Ihsan Boriçi.

Familja që ruajti në ditar jetën e Shkodrës

Mustafa Boriçi, një nga të parët e kësaj familjes, ishte sekretar në Pashallëkun e Shkodrës deri në rënien e tij. Më pas ai u mor me tregti. Ai ka lënë disa ditarë e kronika të shkruara me dorën e tij, ku jepen të dhëna për zhvillime ekonomike e shoqërore të kohës në Shkodër. Ai ka lënë gjithashtu një regjistër kontabiliteti për lëvizjen e mallrave. Këto ditar që i përkasin një periudhe kohore që nga viti 1834, janë edhe regjistra marrëdhëniesh tregtare e bujqësore, ku Mustafa Boriçi ka shënuar llogaritë që ka pasur me tregtarë vendas e të huaj, si dhe me fshatarët e shumë persona të tjerë.

Po kështu në to janë përfshirë çmimet e produkteve të ndryshme, me datë e vit, përqindjet e taksave doganore tokësore e detare, janë shkruar emrat e tregtarëve shkodranë që zhvillonin aktivitet brenda e jashtë vendit, ku përmenden dhe destinacioni e lloji i mallrave që importoheshin dhe eksportoheshin prej tyre si, në Rumeli, Serbi e Bullgari, ku merrnin e çonin mallra si: mëndafsh, lesh, lëkurë, dru apo fruta të thata.

Këto ditar u trashëguan nga familja dhe u vazhduan nga njëri prej djemve të Mustafa Boriçit, Salo Boriçi. Ndërsa në kronikat e shënuara nga Mustafa Boriçi, përmenden me datë, ditë e orë ngjarje të ndryshme, si rrënimi i minares nga gjuajtja e topave më 1831-in, emrat e shkodranëve, tiranasve e matjanëve që luftuan e dhanë jetën duke luftuar kundër malazezve e, mjaft ngjarje të tjera nga qyteti i Shkodrës. I biri i tij, e vazhdoi këtë trashëgimi të pasur, duke lënë dëshmi mjaft të rëndësishme për historinë e qytetit.

Daut Boriçi ka lënë ditar të pasura, ku jep të dhëna për zhvillime të rëndësishme të jetës ekonomike e shoqërore të vendit, zhvillimin e arsimit, për mbledhjet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e, mjaft të tjera si këto. Në këto ditarë, në mënyrë kronologjike dhe me saktësi, me datë e ditë, madje ndonjëherë dhe me orë, jepen të dhëna të hollësishme për zhvillime historike si, pushtimi i Shkodrës nga Turqit apo rrethimi i kalasë së Tivarit.

Po kështu në ditarët e Daut Boqiçit, gjenden të shënuara dhe llogari marrëdhëniesh të drejtorisë së arsimit me arkën e shtetit apo Bankën Bujqësore, duke treguar dhe kreditë e tërhequra për plotësimin e rrogave të mësuesve të varur nga zyra e tij. Madje në to, përfshihen dhe shpenzime për riparimet e bëra të institucioneve arsimore në varësi të zyrës së arsimit, që drejtohej nga Daut Boriçi.

Gjithashtu ai ka shënuar dhe vërtetimin e daljes së tij në pension në vitin 1892. Një nga ditarët e tij është gjendur nga pasardhësit vetëm dy vjet më parë, dhe sipas Myhsin Boriçit, (stërnip i Daut Boriçit) ai ka tërhequr vëmendjen e akademikëve e studiuesve shqiptarë, por duke qenë i shkruar në turqishten e vjetër, deri më sot, nuk është bërë e mundur përkthimi i tij.

Mësuesi, që krijoi abetaren shqipe për Shkodrën

Një ndër përpjekjet për të pasur një abetare me germa shqipe, është edhe ajo e Daut Boriçit, njërit prej mësuesve më të njohur të Shkodrës, njëkohësisht pjesëmarrës aktiv në Lidhjen e Prizrenit dhe luftërat e shqiptarëve për liri e pavarësi. Daut Boriçi, është padyshim një nga figurat më të nderuara të historisë sonë kombëtare.

Një patriot i spikatur, diplomat e politikan i aftë, e një rilindas me kontribut të madh që dha ndihmesë konkrete në përhapjen e gjuhës shqipe, në kohën kur vendi ishte nën sundimin turk, një mësimdhënës dhe edukator i përkushtuar. Ai është ndër ato figura të ndritura që luftuan me pushkë e pendë, për krijimin e një Shqipërie të pavarur. Si klerik e besimit mysliman (hoxhë) përparimtar, e mësues i popullit, ai ishte nismëtar i përhapjes së shkrimit shqip, si dhe një patriot i madh, që drejtoi degën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Shkodër.

Daut Boriçi, lindi në Shkodër në vitin 1825 dhe shkollën fillore e kreu pranë familjes. Kjo vërtetohet nga ditarët e vetë Daut Boriçit, por dhe të babait të tij, Mustafa Boriçi, i cili ka qenë sekretar i Pashallëkut të Shkodrës. Në vitin 1848, Daut Boriçi shërbeu si imam në xhaminë e Draçinit, ku pasi mori mësime fetare, ai vazhdoi studimet e larta në Stamboll, të cilat i përfundoi me rezultate shumë të larta.Nisur nga kjo, ai emërohet mësues në Stamboll e, më vonë edhe si inspektor arsimi, po në kryeqendrën e Perandorisë Osmane. Pas kësaj, me kërkesën e babait të tij, për t’i shërbyer atdheut të vet, ai kthehet në Shqipëri, duke u vendosur pranë familjes së tij në qytetin e Shkodrës.

Fillimisht ai punoi si mësimdhënës në Mejtepin “Ruzhdije”, më i njohuri në qytetin e Shkodrës në atë periudhë dhe më pas kryemësues apo drejtor i mejtepit. Kjo shkollë, konsiderohej si i pari institut modern i kohës në Shqipëri dhe frekuentohej nga shumë djem të familjeve të ndryshme shkodrane, pavarësisht nga besimi fetar. Daut Boriçi e drejtoi atë institucion arsimor fetar deri në vitin 1867, ndërsa në vitin 1870, ai emërohet inspektor arsimi në Shkodër dhe ngarkohet me detyrën e përgjegjësit të përhapjes së shkollave në Vilajetin e Shkodrës. Misionin e tij si mësimdhënës, e vazhdoi deri në vitin 1874.

Po kështu Daut Boriçi është edhe autor i botimit të së parës abetare turqisht-shqip, në themel të një alfabeti me shkronja arabe. Duke qenë se në atë kohë ndalohej botimi i broshurave në gjuhën shqipe, ai e botoi atë pa emër. Kjo vepër përmbante 226 fjalë, emra, mbiemra, folje e fjalë të tjera dhe 25 fjali. Përveç kësaj vepre, ai ka lëne dhe vepra të tjera në gjuhën shqipe, si gramatika e gjuhës shqipe, vepër kjo e papërfunduar prej tij, fjalori turqisht – shqip, dhe dy përpjekje për abetare ndryshme nga ajo e para.

Më 11 korrik të vitit 1878, në Shkodër krijohet dega e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila për tre vjet, u drejtua nën kryesinë e Daut Boriçit. Me atdhedashuri, vendosmëri e dinamizëm, ai udhëhoqi komitetin ndërkrahinor të Lidhjes së Prizrenit për Shkodrën. Ai ka jetuar në kujtesën e popullit, si figura e një patrioti shkodran, që vuri në dispozicion të çështjes kombëtare intelektin, fuqinë fizike dhe jetën e tij.

Shtëpia e tij, (sot Medreseja e vajzave) në Shkodër, u kthye në një qendër të rëndësishme të lëvizjes kombëtare ku, në dhomën e tij të pritjes, vinin personalitete të rëndësishme, si Abdyl Frashëri, etj. Daut Boriçi, i dërgoi djemtë e tij në trashet e luftërave për mbrojtjen e kufijve shqiptarë nga copëtimi, ku ata luftuan me armë në dorë, për mbrojtjen e trojeve shqiptare, si në Hot, Grudë, Plavë e Guci. Pas rënies së Ulqinit, së bashku me patriotë të tjerë, Daut Boriçi u internua në Turqi, nga ku u lirua pas 7 vitesh dhe ndërroi jetë në 1896-ën.

Shtëpia e Boriçve, nga muze në Medrese

Shtëpia e Daut Boriçit ka qenë shtëpi muze e kategorisë së pare, deri pas viteve 90-të. Më pas ajo u dëmtua së tepërmi, deri sa u muar nga një shoqatë islame, e cila ndërtoi aty Medresenë vajzave në Shkodër, funksion që vazhdon ta kryejë edhe sot. Daut Boriçi, është dekoruar me “Urdhrin e Lirisë” të klasit të tretë, për përpjekjet e tij dhe punën e palodhur në përhapjen e arsimit në gjuhën amtare. Emrin e tij e mban një prej rrugëve kryesore në qytetin e Shkodrës.

Toleranca: Hoxha, që vuri gurin e themelit të Kishës së Madhe

Në muajt mars e prill të vitit 1880, Shkodra u shndërrua në një arenë ngjarjesh tepër të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Në një tubim të madh tek Pazari i Vjetër, ku u mblodhën krerët e Shkodrës e të Malësisë, u lidh besa që shqiptarët pa dallim feje e besimi, të bashkoheshin dhe të luftonin që të mos lejohej copëtimi i vendit. Nga kjo asamble popullore, doli një komision i kryesuar nga Daut Boriçi, i cili nuk u kursye të japë ndihmesën e tij në ato momente të vështira dhe mjaft delikate për vendin.

Gjatë kohës që Daut Boriçi drejtoi degën e Lidhjes Shqiptare te Prizrenit në Shkodër, ai mori vendime të rëndësishme, siç ishte nënshkrimi i memorandumit drejtuar konsujve të fuqive të mëdha në Shkodër, më 18 maj të vitit 1880. Por Daut Boriçi, shfaqi edhe aftësi në lëmin diplomatik, duke gëzuar respektin e përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha në Shkodër, bashkëpunoi në mënyre mjaft efikase më përfaqësues të besimeve tjera fetare në Shkodër, dhe kryesisht të familjeve katolike. Bashkë ekzistenca fetare shembullore, duket dhe në faktin se Daut Boriçi, asistoi dhe dhe mbajti fjalën e rastit në ceremoninë e vendosjes së gurit të themelit, për ndërtimin e Kishës së Madhe në qytetin e Shkodrës, një ndër më të mëdhatë në Ballkan.

Ahmet Boriçi: Nismëtari i ngritjes së doganave shqiptare

Ahmet Boriçi, është një tjetër figurë e rëndësishme e kësaj familjeje, me kontribut e vlera të mëdha në shërbim të vendit, kryesisht në fushën e financave dhe të ekonomisë. Ai ishte djali i madh i Daut Boriçit, i lindur në vitin 1866, i cili pasi kreu shkollimin fillor e të mesëm në Shkodër, vazhdoi studimet e larta në Stamboll, ku u diplomua për Administratë Publike

Pas mbarimit të shkollës, në vitin 1883 ai u emërua dhe shërbeu si nëpunës, sekretar në administratën e Stambollit, nëpunës dogane e, më pas drejtor i Doganave. Pas disa vitesh në ato detyra, ai u kthye në Shqipëri dhe në vitin 1920 emërohet drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Doganor shqiptar. Në këtë periudhë kohore, ai shquhet për vendosjen e rregullave doganore të panjohura më parë dhe për hartimin e projekteve për ligjet doganore.

Në ato vite, ai kishte një miqësi të madhe edhe me Ndoc Çobën, gjë e cila ishte si rezultat i traditës familjare të bashkëjetesës fetare të familjes së tij. Më parë, në vitin 1918, me dekret nr. 2967, lëshuar nga Mbretëria e Austro-Hungarisë, Ahmet Boriçi, dekorohet me urdhrin “Kalorës i urdhrit të Franc Jozefit”.

Ndërsa me dekret te Mbretit Zog, të datës 14.06.1925, (dekret që bashkë me të tjerë, ruhen si një pasuri e vyer e familjes Boriçi), Ahmet Boriçi emërohet drejtor i Doganave në Shkodër. Nga Bashkia e Shkodrës, Ahmet Boriçi caktohet delegat i këtij qyteti, në festimet për shpalljen e pavarësisë në Tiranë, ku paraqet urimet përkatëse bashkë me delegatë të tjerë, si: Gjon Çoba, Man Tepelija, Faslli Ademi dhe Tefë Gera.

Ahmet Boriçi gjithashtu ka merita të mëdha edhe në lëmin e ekonomisë e biznesit, pasi ai është nismëtar i mobilizimit të kapitalit të lire, për zhvillimin e shoqërive me kapital të përbashkët. Në vitet 1926-1930, në Shqipëri u zhvilluan shoqëritë e para me kapital të përbashkët dhe me nismën e tij, u krijua një shoqëri me kapital të përbashkët, për prodhimin e çimentos, me qëllim pakësimin e importit, të cilin e evidentonte përmes detyrës së krye doganierit.

Ftesën e tij e përkrahën fillimisht disa biznesmenë që ishin aksionerët e parë të kësaj shoqërie, që më pas u shtri në të gjithë vendin. Ahmet Boriçi është dy herë radhazi drejtues i këshillit mbikëqyrës të kësaj shoqërie dhe udhëhoqi korrespondencën me firmat e prodhimit të makinave industriale, organizoi vendosjen e një administrate të kualifikuar, etj.