46-vjeçari Admir Bejo është gjetur sot i vdekur nga familjarët në banesën e tij,në lagjen “1 Maji” në qytetin e Kuçovës.

Pikërisht në rrugicën e shtëpisë në këtë lagje,në 13 Gusht 2022 Admir Bejo u plagos me armë zjarri dhe u gjet i shtrirë në rrugë nga një kalimtar që njoftoi asokohe policinë.

Bejo u transportua fillimisht drejt Spitalit Rajonal Berat dhe më pas në Spitalin Ushtarak në Tiranë,ndërkohë që një ditë më pas policia identifikoi dhe arrestoi autorin e plagosjes,që rezultoi të ishte komshi me Bejon dhe se e kishte qëlluar për shkak të një borxhi të papaguar.

Por edhe pse i shpëtoi atentatit të 3 muajve më parë,Admir Bejo ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm dhe dyshimet e para të policisë janë “konsumimi i një mbidoze lëndësh narkotike”.

Trupi i pajetë i 46-vjeçarit është transportuar në Morgun e Spitalit Rajonal të Beratit,ku autopsia mjeko-ligjore përcaktoi si shkak të  vdekjes “trompozën në mushkëri e zemër”. Bejo njihej në qytet si përdorues i rregullt prej vitesh i lëndëve narkotike, ndërkohë që burimet policore bëjnë me dije se në trupin e tij nuk janë konstatuar shenja dhune.