Ka reaguar për herë të parë përballë opinonit publik Naim Pelaj, babai i Aurona Pelajt vajzës e cila u kryqëzua nga qytetarët në rrjetet sociale pas publikimit të videos ku ajo dhunonte një të moshuar.

Aurona u shpreh se kishte qenë e moshuara ajo që e kishte sulmuar e para dhe ajo thjesht ishte vetëmbrojtur.

Babai i saj i ka kërkuar falje publike familjes së të moshuarës Nura. Ndër rreshta ai ka shkruar se e ndiejnë borxhin moral dhe shpirtëror që u kanë shkaktuar. Ai u ka bërë thirrje autoriteteve të hetojnë rastin sipas ligjit.

“E dashura familje e nënës së dëshmorit të lirisë, Taulant Nura, që falë gjakut të tij ne sot e gëzojmë lirinë, duam të ndajmë dhimbjen me ju dhe ndjejmë me ju nga thellësia e shpirtit tonë për lëndimin qe ju ka shkaktuar vajza jonë.

E di që po kaloni momente të rënda, por na lejoni që t’ju kërkojmë falje publike në emër të familjes sime Pelaj, nga Novosella e Pejës, juve familja Nura dhe mbarë popullit shqiptar. Dashtë Zoti që ky rast të mos përsëritet më dhe ju jemi borxhli moralisht dhe shpirtërisht gjithë jetën juve, familjes Nura nga Gjakova, për tragjedinë shpirtërore që ju shkaktoi vajza jonë.

Gjithashtu, në rastin e vajzës sonë, kërkojmë nga organet e rendit që të veprojnë sipas ligjeve të Republikës së Kosovës për veprat, për të cilat e ngarkojnë”,-ka deklaruar ai për mediat.