Gjykata e shkallës së parë në Shkodër ka lënë me masën e sigurisë “arrest me burg” shtetasit Petrit Kubazi dhe djalin e tij Gledis Kubazi, pasi këta dy shtetas u arrestuan nga policia e Shkodrës për shkak se iu gjetën në banesë armë, mina me telekomandë dhe disa municione të tjera.

Gjatë seancës për masën e sigurisë shtetasi Petrit Kubazi deklaroi në sallën e gjyqit se ai nuk ka patur asnjë informacion për gjithë atë municion që policia sekuestroi në banesën e tyre. 52-vjeçari pretendon se vetëm dy armët e gjahut janë me leje ndërsa për pjesën tjetër e ka marrë vesh në komisariat pasi është arrestuar se janë gjetur në banesën e tij.

“Unë nuk e kam ditur aspak se ato armë dhe municioni ndodhej në banesën time. Vetëm kur kam ardhur në komisariat kam pyetur djalin dhe ai më ka thënë se i kishte gjetur një natë më përpara në një vend por nuk ka patur kohë të më tregojë sepse nuk jemi takuar dhe të nesërmen në mëngjes erdhi policia. Armën e gjahut shotgun e kam me leje sepse unë jam gjuetar ndërsa arma tjetër sportive edhe ajo është me leje dhe është e një të njohuri.

Sa i përket pjesës tjetër të armatimit nuk kam patur asnjë ide se janë në banesën time. Radiot që janë gjetur ato ka tre vite që i kam sepse blihen kudo në internet dhe i kam përdorur për gjueti për të komunikuar. Unë kam punuar gjithë jetën time dhe më pëlqen gjuetia ndaj nuk kam asnjë lidhje me municionet”.