Trajneri i njohur i peshëngritjes, Zef Kovaçi, pas një mori statusesh në profilin e tij në rrjetin social “facebook”, ku fshikullonte rëndë “mosmirënjohësit”, dje u pasqyrua në shtypin e shkruar nëpërmjet një interviste tek “Panorama Sport”, ku shigjetonte Federatën Shqiptare të Peshëngritjes dhe Ministrinë e Sportit që i kishin hequr emrin si trajner i Erkand Qerimajt. Bëhet fjalë për Kampionatin Europian që u zhvillua në fund të majit në Tiranë, ku Qerimaj doli kampion dhe në bazë të ligjit përfitoi shpërblimin. Shpërblimin e merr edhe trajneri në masën e përcaktuar me ligj (40%), por kur ka ardhur puna për të marrë shpërblimin, konstatohet se atë e ka marrë një trajner tjetër, Sokol Bishanaku, dhe Kovaçi mendon se kjo lëvizje ka qenë një maskarallëk kundër tij dhe që këtë çështje do ta ndjekë deri në fund me gjyq, jo për lekët, por për dinjitetin e emrit të tij. por i menjëhershëm ka qenë dje reagimi i një tjetër trajneri, Leonard Toskës, i cili thotë se Kovaçi e ka etiketuar “servil dhe të korruptuar”.

Qëndrimi i Toskës

Gazeta “SOT”, po e pasqyron qëndrimin e trajnerit Toska, por e ndjeshme për mprehtësinë e çështjes, do të lerë të hapur mundësinë që në vijim të mbajë qëndrim sërish trajneri Kovaçi. “Unë “servili dhe i korruptuari” Leonard Toska, trajner i ekipit kombëtar që më punën time, në një vend të vogël si Shtërmeni kam nxjerrë sportistë të mëdhenj, si të madhin Briken Calja, Kampion Bote, Ertian Kofsha e ardhmja e peshëngritjes shqiptare, i cili u shpall kampion me tre Medalje te Arta, duke vazhduar me Samuel Sasen një 15 vjeçar qe shume shpejt, pas 6 muajsh në Kampionatin Botëror U 15, U 17 që do te zhvillohet ne Shqipëri, do të jetë Kampioni i ardhshëm i Botës. Si mundet i ashtuquajturi trajner z. Zef Kovaçi të më quajë mua njeri te tillë, kur ky trajner nuk ka pasur ekip, por ka përfituar si servil i radhës duke marre shpërblime të trajnerëve të tjerë si Muhamet Tuzi dhe Genc Barkiçi në mënyrë të jashtëligjshme? Si mundeni ju, z. Zef, të ofendoni të gjithë trajnerët që punojnë me pasion, që ky sport elitar duhet vetëm të lulëzojë? Jo z. Zef ne nuk do të lejojmë më ty dhe asnjë tjetër që fshihet pas teje, të hedhin baltë mbi njerëz që punojnë me pasion dhe përkushtim. Pesëdhjetë e pesë milionë lekë ke përfituar në mënyrë të paligjshme, me shpatullat e sportistit të madh Erkand Qerimaj, duke mos pasur asnjë sportist tjetër. Sportisti Erkand Qerimaj ka filluar pune me trajnerin Sokol Bishanaku që përpara Kampionatit Botëror të Uzbekistan Dhjetor 2021, pasi ka parë paaftësinë e trajnerit Kovaçi, mungesën e tij në seanca stërvitore në Kampionatin Botëror duke e lënë sportistin vetëm gjatë orarit të punës për rënien në peshë. Në këtë kohe trajneri Kovaçi ka qenë duke konsumuar alkool. Gjatë garave trajneri ka treguar paaftësi fizike nga shikimi dhe nga ana emocionale, duke mos qenë në gjendje të jetë i aftë për garën”, thotë Toska.

Shkeljet me sportistin

Më tej trajneri i Shtërmenit dhe pjesëtar i federatës shkruan se sportisti vetë ka bërë kërkesë për ndryshimin e trajnerit, kërkesë që është miratuar. “Në Kampionatin Europian 2021 në Moskë, Rusi, trajneri Zef Kovaçi, në dijeni të dëmtimit të sportistit, lajmëroi vetëm dy ditë para nisjes në aktivitet tërheqjen nga gara, duke lënë sportistin vetëm në një aktivitet të rëndësishëm. Për vitin 2022 ka një kërkesë të sportistit që në periudhën e janarit 2022, ku thekson se trajneri i tij për garat ndërkombëtare në vazhdim do të jetë trajneri Sokol Bishanaku. Federata Shqiptare e Peshëngritjes, pasi mblodhi Bordin Ekzekutiv, vendosi që trajner i sportistit elitar Erkand Qerimaj do të jetë Sokol Bishanaku. Përsa i përket shpërblimeve Zef Kovaçi ka marrë 20 milion lekë në qershor 2022, të Kampionatit Europian në Moskë dhe të Kampionatit Botëror në Uzbekistan”, nënvizon Toska.

Përfitimet e trajnerit Kovaçi

Tekniku Leonard Toska, në pozitën e trajnerit të ekipit kombëtar, rrëfen se kolegu i tij Zef Kovaçi është paguar sipas ligjit sa herë sportisti ka përfituar nga rezultatet e tij ndërkombëtare. Si trajner Kovaçi ka marrë 55 milionë lekë shpërblime në total për punën e bërë me sportistin Erkand Qerimaj, pa llogaritur këtu pagesa nga klubi, federatë, bursa olimpike dhe sponsorizime. Zef Kovaçi është shpërblyer më së miri për punën e bërë si trajner. Në gusht të vitit 2008 Erkand Qerimaj figuronte te Klubi Vllaznia me trajner Genc Barkiçin, i cili merr pjesë në Lojërat Olimpike po me trajner Genc Barkiçin, por njëkohësisht sportisti punonte dhe me trajnerin Sokol Bishanaku dhe Zef Kovaçi. Ne shtator 2008 shpallet Kampion Europe për të Rinj dhe shpërblimin e merr Zef Kovaçi. Ne prill 2014 Erkand Qerimaj shpallet Kampion Europe në Izrael. Ishte pjesë e Klubit Vllaznia me trajner Muhamet Tuzi, gjithashtu kishte punuar me këtë trajner si dhe me Zef Kovaçin. Në të dyja këto raste shpërblimin e ka përfituar Zef Kovaçi, pa figuruar si trajner i licensuar në klubin ku bënte pjesë sportisti. Kjo tregon që dhe pse një trajner mund të figurojë në një klub nuk do të thotë se do të marrë shpërblimin nga Ministria, siç pretendon Zef Kovaçi, sepse një sportist mund të punojë me disa trajnerë, siç ka ndodhur me sportistin Erkand Qerimaj, por shpërblimin e merr vetëm një trajner”, përfundon Toska.